Serbia, Kuba e Ballkanit
Norbert Gisder, redaktor i magazinit gjerman për politikë dhe kulturë ''''GT'''', shkruan se Rusia po planifikon ndërtimin e një baze të re ushtarake në jug të Serbisë, njofton RTK-ja.

Sipas tij, republika qendrore e Ballkanit, Serbia, me këtë po futet nën kapotën mbrojtëse ushtarake ruse. Se në çfarë masa do të bëhet kjo, mbetet të shihet. Rusët po thonë se baza e re në afërsi të qytetit të Nishit ka krejtësisht “qëllime humanitare”. Pilotët ndërkaq thonë të kundërtën, ata thonë se në luginën e Nishit po ndërtohen pista për fluturime dhe aterrime edhe për aeroplanët më të mëdhenj. Në anën tjetër edhe kampi ushtarak amerikan i Bondstillit në Kosovë me 386 hektar sipërfaqe, që është baza më e rëndësishme amerikane në Evropë, pas bazës amerikane në Gjermani, ka gjithashtu ambiciet e veta në serbi.

Për të qenë më të qartë: Serbia deri më tani nuk ka bërë asgjë që do të justifikonte pranimin e saj në Bashkimin Evropian. Pozicioni i saj gjeostrategjik domethënës dhe marrëdhëniet e mira tradicionale me Rusinë i kanë mundësuar këtij vendi që t’u lejojë shteteve anëtare të GUS-it të futin njërën këmbë në sferën e interesit perëndimor dhe atë të vendeve anëtare të BE-së.

Kjo sjellje e ka shndërruar Serbinë në një lloj Kube të Ballkanit. Në këtë mënyrë, Serbia po përfiton nga pozicioni gjeostrategjik i saj pa pasur rrezik nga këto veprime, sepse e rrethuar nga shtete të Bashkimit Evropian, BE - së nuk i mbetet tjetër pos ta pranojë Serbinë në rrethin e vet herëdokur.

Për të mbështetur strukturat që janë të nevojshme për një hap të tillë, komisari i Bashkimit Evropian Stefan Fule i ka bërë Beogradit një transaksion monetar në vlerë prej qindra miliona eurosh. Kjo ka ngritur gjakrat jo vetëm në rajonet tjera, por edhe tek kosovarët.

Në esencë njerëzit në Serbi nuk janë të interesuar për procesin e integrimit në BE. Ata edhe me tej janë krenar me historinë dhe të kaluarën e tyre.

Përveç kësaj Serbia vazhdon të mbete një vend interesi për Rusinë dhe vendet anëtare të GUS-it, ndërkaq për Bashkimin Evropian një shkëndijë potenciali për ndezjen e zjarrit. Kjo është arsyeja që Bashkimi Evropian nuk po shlyen borxhin që u ka kosovarëve, siç është heqja e vizave. Kosova ku projekt i “suksesshëm” evropian është vendi i fundit në Ballkan që nuk gëzon të drejtën e qarkullimit të lirë. Derisa serbët në çdo kohë mund të shijojnë këtë të drejtë, kosovarët janë të detyruar të presin në radhë të gjatë deri në 100 metra para ambasadave të huaja për të marrë një vulë që ua hap derën e udhëtimit në Evropë

Kjo është e padurueshme. Armiqtë e Evropës që shkaktuan luftërat në ish Jugosllavi shpërblehen me heqjen e vizave, ndërsa aleatëve të Evropës, siç janë kosovarët, ju mohohet kjo e drejtë, kritikojnë perëndimin aktivistët për të drejtat e njeriut, historianë dhe politikologët… Si është e mundur që BE-ja të bëhet e shurdhër për këtë.

Pesë vende qyqare si janë Rumania, Sllovakia, Qiproja, Greqia dhe Spanja për shkak të problemeve me minoritete në vendet e tyre ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ndërsa deri më tani këtë e kanë bërë 86 kombe. Ky veprim qyqar i këtyre pesë shteteve të BE-së po e pengon Evropën të flasë me një zë për Kosovën. Kjo gjithashtu është një nga arsyet që BE nuk mund të nisë negociatat me Kosovën për anëtarësim në BE.

Kosova kjo viktimë vazhdon të mbetet edhe më tej një karrem për vullnetin e intervencionistëve ndërkombëtarë për stigmatizimin e atyre që u prishin tymin e duhanit ndërkombëtarëve si është Albin Kurti me lëvizjen Vetëvendosje... Kosova është bërë gjithashtu një fushëbetejë dhe shesh për shërbimet e fshehta të sigurimit të huaj që fabrikojnë akuza për krime të papara ndonjëherë siç janë ato kundër kryeministrit Hashim Thaci për tregti organesh, krim të organizuar, kriminalitet, tregti me armë, femra e drogë. E tëra kjo bëhet për ta mbajtur më shantazh dhe nën kontroll këtë njeri që atij të mos guxojë t’i shkojë mendja për ndonjë ide të marrë.

Në lojën e të mëdhenjve për Kosovën nuk ka mbetur anash as Gjermania. Edhe pse blerja e Telekomit të Kosovës nuk është e sigurt ashtu si shumë projekte të tjera, megjithatë Gjermani po luan rolin e një figure të madhe në Ballkan si përballë Serbisë dhe Kosovës ashtu edhe përballë lojtarëve tjerë të angazhuar në Ballkan. Gjermania në Ballkan është një partner i fortë ekonomik dhe Angela Merkel nuk mund të injorohet. Kjo shihet më së miri edhe në fjalët e saj kur tha se së pari duhet rregulluar çështja e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë dhe tek atëherë mund të flitet për anëtarësim në BE.

Kjo që ka thënë kancelarja Merkel është shumë e rëndësishme ashtu siç janë të rëndësishëm edhe këta hapa:

1. Kosovarëve t’u lejohet lëvizja e lirë pa viza në gjithë hapësirën e Bashkimit Evropian.

2. Të bëhet ndërtimi i marrëdhënieve ekonomike mbi bazën e marrëdhënieve kontraktuale me Kosovën

3. Bashkimi Evropian duhet të ketë një zë në raport me këtë shtet të vogël.

4. Të bëhet njoha e Kosovës nga pesë vendet qyqare me një ekonomi shkurtabiqe si janë Rumania, Sllovakia, Spanja, Greqia dhe Qipro.

Vetëm kur të bëhet kjo, mund të flitet për integrimin e Serbisë në BE.
Shtuar më 08/11/2011, ora 13:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori