Serbia inatin e taksës e nxjerr te Lugina e Preshevës
Nën arsyetimin se ka rënë importi dhe eksporti, Qeveria e Serbisë ka mbyllur terminalin doganor në Preshevë, duke e zhvendosur në Vranjë, 40 kilometra larg kufirit. Mbyllja e këtij terminali ka ngjallur reagime në Luginën e Preshevës, ku këtë vendim e shohin si reflektim politik.

Përmes një komunikate për opinion, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e Serbisë, Bordi i Doganave, ka bërë të ditur se do të mbyllet Terminali doganor në Preshevë, ndërsa i njëjti do të transferohet në qytetin e Vranjës, rreth dyzet kilometra nga Presheva. E tërë kjo, gjithnjë sipas komunikatës, për shkak të rënies së importit dhe eksportit dhe vështirësive për financimin e këtij institucioni në Preshevë.

Besnik Sadiku, kryeshef i shërbimit të Financave në Komunën e Preshevës, e ka vlerësuar të dëmshëm mbylljen e terminalit doganor, raporton televizioni publik i Kosovës.

Mbyllja e terminalit doganorë ka ngjallur reagimet edhe të shoqërisë civile. Besim Shabani, nga organizata joqeveritare “Agjencioni për Zhvillim – Preshevë”, ka kritikuar qeveritarët e Beogradit për mosgatishmëri të zhvillimit ekonomik të komunës së Preshevës në të cilën mbi 95 % jetojnë shqiptarët.

Nga Presheva, fillimisht u largua Gjykata, më pas radhazi u mbyllën disa banka duke e lënë vetëm një në tërë qytetin, pastaj Administrata tatimore u zhvesh nga kompetencat dhe së fundi u largua edhe Terminali Doganor.

Në rrethana të tilla, Presheva, nga një qendër, po shndërrohet në një Bashkësi Lokale me kompetenca të varura nga qendra në Vranjë e cila është rreth dyzet kilometra larg Preshevës, konstatojnë njohësit e çështjeve ekonomike.


Shtuar më 02/12/2018, ora 09:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori