Serbia bllokon pagesën ndaj viktimave boshnjake të torturuara
Enes Bogilovic dhe Musan Dzebo kanë vuajtur nga çrregullime të stresit post-traumatik dhe sëmundje të përgjithshme fizike që kur u burgosën nga oficerë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në kampin Slijvovica pasi u larguan nga Bosnja në vitin 1995.

Të dy kanë dëshmuar se si ata ishin rrahur dhe abuzuar në robëri bashkë me qindra boshnjakë të tjerë që i kishin shpëtuar përparimit të Ushtrisë Serbe të Bsonjes në të njëjtën kohë, vetëm për t’u mbyllur dhe keqtrajtuar më pas në kampet e burgimit në Serbi.

Por pavarësisht faktit se Gjykata e Apelit në Beograd u caktoi Bogilovicit dhe Musanit nga 2750 € secili verën e kaluar si kompensim për vuajtjet e tyre, ata nuk i kanë marrë paratë, sepse Zyra e Prokurorit Publik të Serbisë ka kërkuar që çështja të rishqyrtohet.

Zyra e Prokurorit Publik nuk i ka bërë publike arsyet pse ka kërkuar rishqyrtim të çështjes, por Qendra e të Drejtës Humanitare me bazë në Beograd (FHP), e cila po i përfaqëson ata, thotë se ajo nuk mund ta dërgojë vendimin përfundimtar në Ministrinë e Brendshme për të marrë kompensim derisa ai të jetë i plotë.

“Për të shmangur rrezikun që të paraburgosurit të duhet të rikthejnë shumat e dhëna, FHP-ja ka vendosur se deri në fund të procedurës së rishqyrtimit, nuk do të fillojmë procedurën e zbatimit për marrjen e kompensimit,” tha Petar Zmak, koordinatori i FHP-së për projektin e dëmshpërblimeve.

PërveçBogilovicit dhe Dzebos, FHP-ja përfaqëson edhe 15 të burgosur të tjerë boshnjakë që u mbajtën të burgosur në kampet Sljivovica dhe Mitrovo Polje të Ministrisë së Brendshme, të cilët po kërkojnë gjithashtu kompensim nga Serbia për kohën që janë mbajtur të burgosur.

Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit në Beograd kanë hedhur poshtë shumicën e kërkesave për kompensim me justifikimin se paditë e tyre janë të paraqitura shtatë vjet më parë dhe e kanë kaluar statutin e kufizimeve. Zmak tha se priste vendimet përfundimtare mbi rastet e pazgjidhura brenda dy viteve.

Rrahje me shkop gome

Pasi Ushtria Serbe e Bosnjes zaptoi enklavat e mbrojtura nga OKB-ja të Sreebrenicës dhe Zepës në korrik të vitit 1995, mbi 800 burra vendas u larguan për në Serbi nga frika e hakmarrjes.

“Fshiheshim nëpër pyjet pranë kufirit serb nga Ushtria Serbe e Bosnjes, sepse kishim dëgjuar se çfarë kishte ndodhur në Srebrenicë. Besonim se streha jonë e vetme ishte në Serbi,” tha për BIRN në vitin 2013 një boshnjak që arriti të arratisej.

Pasi kaluan lumin Drina, ata u arrestuan dhe u mbyllën nëpër kampet pranë kufirit në Sljivovica dhe Mitrovo Polje, ku u ruajtën dhe abuzuan nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme Serbe.

Të ndaluarit u rrahën me shkopinj gome, copë druri, kabllo elektrike dhe armë të tjera të improvizuara. Ata gjithashtu u poshtëruan çdo ditë, madje disa edhe u abuzuan seksualisht. Shumë të ndaluar nuk i mbijetuan dot keqtrajtimit.

Bogilovic tha gjithashtu se një polic i kishte fikur cigaren në kraharor ppara më shumë se 100 njerëzve.
Të burgosurit dëshmuan se si kishin fjetur në dysheme prej betoni, u ishte dhënë ushqim i keq dhe se gjatë muajit të parë pasi mbërritën në kamp, nuk ishin lejuar të bënin dush.

Dzebo u lirua nga kampi i burgosjes në fillim të dhjetorit 1995 dhe Bogilovici dy muaj më vonë, por abuzimi i la ata me probleme serioze shëndetësore.
Sipas një mendimi ekspert nga neuropsikiatri Zoran Djuric, Dzebo dhe Bogilovici humbën 15% të aftësisë së tyre të përgjithshme fizike për shkak të çrregullimeve kronike pos-traumatike (PTSD) dhe ndryshimeve permanente të personalitetit.

“Ata morën PTSD, një sëmundje mendore që ndodhi si rezultat i abuzimit fizik dhe mendor,” tha Djuric në raportin e tij për gjykatën.

Bogilovic dhe Dzebo kërkuan rreth 21,200 euro nga Serbia si kompensim për abuzimin e tyre fizik dhe mendor, si dhe për frikën që ata përjetuan në kampin Sljivovica. Në vend të kësaj, atyre iu dhanë nga 2,750 euro secili.

Sipas gjykatës, të arrestuarit duhet t’i kishin paraqitur pretendimet e tyre për tortura fizike, frikë dhe shkelje të të drejtave të tyre jo më vonë se viti 2000. Për shkak se ata e kërkuan kompensimin e tyre vetëm në vitin 2007, gjykata arriti në përfundimin se ajo e kishte kaluar statutin e kufizimeve, duke hedhur poshtë argumentin e ekipit të tyre juridik se statuti i kufizimeve nuk zbatohet në raste të tilla.

U pranua vetëm një pjesë e kërkesës së tyre që lidhet me dëmtime fizike të shkaktuara nga vuajtjet mendore.

Vuajtja nga makthet

Një tjetër të burgosuri, Halid Durmisevic, nuk iu dha kompensim nga gjykata serbe edhe pse u pranua se ai vuante nga PTSD-ja dhe se aftësia e tij e përgjithshme fizike ishte përkeqësuar me 30 për qind.Arsyeja e dhënë ishte përsëri statuti i kufizimeve.

PTSD-ja e tij u konfirmua në raportin e një mjeku në vitin 2003, por gjykata vendosi se ai nuk mund të marrë kompensim sepse e ka paraqitur padinë e tij vetëm katër vjet më vonë.

Dy të burgosur të tjerë, Senad Jusufbegovic dhe Mujo Vatres, ngritën padi bashkë me Durmisevicin në vitin 2007. Vatres iu dhanë rreth 4,100 euro për shkak se sëmundja e tij mendore u certifikua në mënyrë mjekësore në vitin 2005.
Gjatë kësaj çështjeje, Vatres tha se policët serbë “e godisnin me shkelma në kurriz ndonjëherë edhe 30 herë në ditë dhe i drejtonin armën”.

Ai tha se kishte ende probleme psikologjike, duke përfshirë ankth, ëndrra të këqija dhe çrregullime gjumi. Aftësia e tij e përgjithshme fizike ishte reduktuar me rreth 50 për qind.

“Ata na nxirrnin çdo ditë nga barakat dhe na rrihnin. Pesë vetë vdiqën në këto kampe - disa nga uria, disa prej torturës,” tha për BIRN Jusufbegovic në vitin 2013.

Megjithatë, pretendimi i Jusfubegovicit për kompensim u refuzua sepse gjykata arriti në përfundimin se ai nuk vuante nga PTSD-ja, edhe pse ai u diagnostikua me këtë sëmundje nga një spital në Sarajevë në vitin 2007.


Neuropsikiatrja Snezana Kuzmanoviç, e cila dha një mendim ekspert për Jusufbegovicin në gjykatë, tha se ai “nuk kishte shenja reduktimi të përhershëm të aftësive të përgjithshme fizike”.

Por Jusufbegovic, i cili ishte 17 vjeç kur u arrestua për më shumë se tetë muaj në kampet Sljivovica dhe Mitrovo Polje, tha se neuropsikiatrja e kishte gjykuar gabim impaktin e vuajtjeve të tij.

“Ajo u shpreh se pasi u largova nga kampi i burgimit, përfundova shkollën e mesme, u diplomova në universitet, gjeta punë dhe krijova një familje, kështu që nuk kisha reduktim të aftësive të përgjithshme fizike, duke qenë se arrita të bëja një jetë normale,” tha ai.

Çështja e Durmisevic, Vatres dhe Jusufbegovic ka kaluar aktualisht në apel.

Asnjë nga Ministria e Brendshme serbe nuk ka dalë në gjyq për krimet e kryera në kampet e burgimit në Serbi./albeu.com/


Editorial i BIRN

Shtuar më 16/01/2015, ora 22:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori