I dha diplomë false, parukierja kërcënon vajzën: Të hedh shtëpinë në erë!

Emisioni “Stop” sjell një denoncim në Kamëz, pasi një vajzë tregon se ka paguar 400 mijë lekë të vjetra për një kurs parukerie nga “Parukeri Ornela”.

Pas një muaji e gjysmë ka marrë një diplomë, që nuk i është njohur për punësim. Ornela dhe Blerta, partnere në këtë parukeri e kanë hapur aktivitetin edhe në ditët që nuk lejohej për shkak të pandemisë.

“Vitin e shkuar jam interesuar për një kurs parukerie këtu në Kamëz. Sapo kisha ardhur nga Austria dhe doja ta bëja këtë gjë. Gjeta një parukeri, u interesova, pyeta sa pagesë do të bëja. Më tha për 4 muaj do të paguash 400 mijë lekë. Në muajin e dytë i dhashë 360 000 lekë.

Më pas pjesën tjetër kisha për ta dhënë në momentin që do të merrja diplomën. Kur kisha bërë një muaj e gjysmë kurs më pajisi me këtë diplomë, e cila fatkeqësisht më rezultoi se ishte false. E para e kuptova kur vinte policia tatimore, më thoshte që duhet të thuash që ti je shoqja ime, ose një kliente normale, jo një kursante. Pasi e mora këtë diplomë nuk më dha mundësinë të bëj as praktikën,

gjë e cila është një gjë normale për të vazhduar një punë. U interesova në vende të tjera. Dy në Institut dhe një në Durrës, të tria më thoshin që mund të jesh e informuar, por më ketë diplomë nuk të mundësojmë dot punë. Emri i parukerisë është “Parukeri Ornela””, thotë denoncuesja.

Denoncuesja së bashku me gazetaren e “Stop” i drejtohen parukerisë.

Gazetarja: Ka njeri këtu? Si jeni? Blerta?

Parukierja: Po!

Gazetarja: Unë jam Domenika nga emisioni “Stop”.

Parukierja: Po, kuptoj!

Gazetarja: Zonjushën e njihni?

Parukierja: Më fal, mund ta heqësh kamerën, sepse unë nuk jam as shefja dhe s’jam as punëtore, asgjë.

Denoncuesja: Do të gënjesh për të disatën herë, të njëmijtën herë do të gënjesh?

Gazetarja: Këtë vajzën e njeh?

Parukierja: Nuk e njoh fare, as nuk më intereson fare!

Gazetarja: Është parukiere?

Denoncuesja: Po sigurisht, bën qerpikët.

Blerta merr në telefon Ornelën.

Parukierja: Ornela ka ardhur emisioni “Stop” dhe zonjusha***, që më kanë hy në dyqan. Të lutem hajde pak!

Denoncuesja: Kërkojnë lekët, që i ke marrë, kaq!

Parukierja: A të presim përjashta?

Gazetarja: Pse biznesin e keni të hapur?

Parukierja: Po të lutem zonjushë! Do të dalësh përjashta, sepse biznesin e kam duke e rikonstruktu, e kam marrë lejen në Bashkia.

Gazetarja: Ku e ke lejen?

Parukierja: E kam nga bashkia lejen. Të lutem mund të dalësh përjashta?

Gazetarja: Ku e ke lejen? Ku e ke lejen? A je e licencuar, për të bërë kurse?

Parukierja: Nuk më intereson, se nuk jam unë për të bërë kurse. A ka mundësi të dalësh përjashta? Të lutem prite Ornelën përjashta!

Gazetarja e “Stop” e priti Ornelën për një shpjegim, por në vend të këtij shpjegimi, ajo shkoi dhe kërcënoi familjen e denoncueses, që ishte drejtuar në emisionin “Stop”.

Nëna e vajzës denoncuese, Marie Deda, bërikallëzim për këtë akt dhe tregoi se çfarë i kishte ndodhur. “Pasi është takuar me ju, ajo me një mashkull ka ardhur me makinë, ka ardhur tek porta dhe më ka thënë ku e ke vajzën? I thashë ka shkuar në Kamëz për punët e veta. Deri nesër, më tha unë pa ta hedh shtëpinë në erë dhe pa ta vra djalin nuk e lë, sepse ke shkuar te puna jeme.

Unë i thashë kam ardhur tek puna jote për falsifikimin që më ke ba. Për dëftesën që më ke dhënë në kundërshtim me të gjitha rregullat, sepse ajo nuk ecën askund. Si emër atë burrin nuk e njoh, kurse këtë parukieren e njoh. Ishte parukiere Ornela, ajo që i kam dhënë lekët për kursin e vajzës. Për arsye se i jemi drejtuar “Stop”-it, ka ardhur e na ka kërcënuar se do t’u vrasim e nuk do të lëmë të dilni nga dera. Bëra një kallëzim në polici dhe tregova realitetin.”

Gazetarja: Duke iu referuar dëshmisë së zonjës, kuptojmë që Ornela ka gjetur mënyrën e gabuar për t’iu shmangur përgjegjësisë së saj dhe gabimit që ka bërë. Pasi kërcënimi nuk është zgjidhje e problemit, por është thellim i problemit të saj.

Pas këtij momenti, ne iu drejtuam Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe pas kërkimeve na thanë se diploma e lëshuar është false dhe ky biznes nuk është licencuar për një aktivitet të tillë.

Tashmë përgjegjësia kalon në Sektorin e Krimit Ekonomik, në Drejtorinë e Tatimeve, pasi duhet të bëjë verifikimet përkatëse se si një biznes pa asnjë lloj licence lejohet të operojë në treg si pa të keq. /tvklan.al


Shtuar 13.05.2020 20:28