Rama reagon sërish pas tragjedisë në Himarë: Ky është sezoni më i rregullt, vampirët politikë nuk lënë plagë pa futur gojën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot në lidhje me tragjedinë në Sarandë ku një mjet lundrues, të cilin e drejtonte një efektiv policie, ka përplasur për vdekje një vajza 7-vjeçare.

Rama shkruan me bindje se ky është sezoni më i rregullt turistik, ndërsa shton se tragjedia po përdoret tani politikisht.

“Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër, ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!

Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar!Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë,me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!

Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor, janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë, në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë!

Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë  këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre!

Uroj edhe njëherë që drejtësia t’i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi!”, shkruan Rama./albeu.com