Serbët në panik, Kosova me Interpol-in do të futë në burg gjeneralin
Pëlqej
Sa më shumë që po afrohet dita e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it në Serbi po shtohet frika nga anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare të sigurisë. Kjo për faktin se në listat e INTERPOL-it ndaj të cilëve do të lëshohet urdhëratrrest mund të hyjnë ish-ushtarakë, por edhe persona të tjerë nga strukturat ushtarako policore serbe, që morën pjesë në krimet ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Sipas gazetës beogradase “Blic” në qoftë se Kosova anëtarësohet në INTERPOL, në listën e personave ndaj të cilëve do të lëshojë urdhërarrest Kosova do të gjendet ish ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjenerali Lubisha Dikoviq.

Duke u thirrur në burime diplomatike nga Prishtina, gazeta serbe thotë se emri i gjeneralit Dikoviq është përmendur edhe më parë. Ai ngarkohet me përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 37 të motorizuar, e cila atëherë ishte nën komandën e gjeneralit Dikoviq, përcjell Telegrafi.

Sipas dëshmive, në zonën e përgjegjësisë së Dikoviqit në dhjetë lokalitete, kryesisht në Drenicë, u vranë rreth 1,400 civilë shqiptarë dhe mijëra të tjerë u dëbuan me dhunë.

Për përfshirjen e tij në krime lufte në Kosovë dhe për operacionet për fshehjen e trupave më pas, Dikoviq kishte folur për mediat serbe, duke thënë se “i vjen keq për të gjitha viktimat e rëna gjatë luftimeve të vitit 1999”.

“Viktima të pafajshme kishte edhe në anën serbe edhe në anën shqiptare, por edhe në mesin e popullatës tjetër në territorin e Kosovës, por edhe në tërë territorin e Republikës Federative të Jugosllavisë. Kanë ndodhur edhe krime, kurse ushtria dhe pjesëtarët e saj nuk i kanë fshehur ato, por për çdo krim që kanë pasur njohuri kanë iniciuar procedura adekuate ndaj kryerësve të veprave”, kishte thënë Dikoviq,

Sipas gazetës serbe, në listën e personave ndaj të cilëve do të ngritet urdhërarrest nga INTERPOL-i do të jenë edhe zyrtarë policorë të niveleve më të ulëta, por jo vetëm ata.

“Autoritetet e Prishtinës synojnë të ndjekin edhe civilët serbë, për të cilët pohojnë se kanë marrë pjesë në njësitë paraushtarake. Dyshohet se të paktën 50 serbë në këtë bazë mund të gjenden në listën e atyre që do të lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar…”, shkruan gazeta.

Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it mbahet në Dubai dhe fillon sot (18 nëntor) dhe do të zgjasë deri më 21 nëntor. Për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë do të vendoset të martën, më 20 nëntor. Paralelisht me mbajtjen e Asamblesë, Beogradi dhe Prishtina janë duke zhvilluar një ofensivë diplomatike.


Shtuar më 18/11/2018, ora 09:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori