Shpallja “non grata” e Berishës, Arvizu: Ishte një bombë

Shpallja “non grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit ditën e djeshme solli reagime të shumta nga figura politike vendase e jo vetëm.

Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar dhe ish-ambasadoritamerikan në Shqipëri, Alexandre Arvizu i cili në një prononcim për MCN deklaroi se vendimi ishte një bombë për politikën shqiptare.

“Vendimi ishte një bombë për politikën shqiptare”, tha shkurtimisht Arvizu.

Kujtojmë se ish-ambasadori Alexander Arvizu e quajti ish-kryeministrin Berisha “burrë shteti” pas protestave të 21 Janarit 2011, ku humbën jetën 4 qytetarë si pasojë e të shtënave nga Garda e Republikës.

Në reagimin zyrtar të ditës së djeshme, DASH-i deklaroi se Berisha, në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë, ka qenë i përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.

Ndërkohë nga ana tjetër Berisha i është përgjigjur edhe dje kësaj deklarate nga Blinken duke theksuar se në 30 vite karrierë në politikë nuk ishte akuzuar asnjëherë për korrupsion.


Shtuar 20.05.2021 16:03