Senatori amerikan: Vuçiç e di që marrëveshja me Kosovën do jetë e dhimbshme
Senatori amerikan, Ron Johnson, ka thënë se beson që Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, dëshirojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Johnson kështu ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës në edicionin serb, duke shtuar se Thaçi dhe Vuçiçi kanë vullnet të mirë për të zgjidhur problemin, por në të njëjtën kohë janë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndë.

Aktualisht Johnson është Kryetar i Nën-komisionit për Evropë dhe bashkëpunim rajonal për siguri në Komitetin e Senatit për Punët e Jashtme.

“Ajo që do të doja nga të dyja palët të kuptojnë është kjo: keni ngritur taksat, e keni kthyer vëmendjen e publikut, por tani duhet të ecni përpara dhe të angazhoheni seriozisht në zgjidhjen e këtij problemi të vjetër – në mënyrë që Kosova të jetë e njohur dhe në mënyrë që të arrijmë deri tek zgjidhja paqësore”, tha ai, transmeton Klan Kosova.

“E kuptoj se është politikisht e vështirë për presidentin Vuçiç. Ai duhet t’u tregojë qytetarëve të Serbisë se edhe Kosova i ka bërë disa lëshime. Marrëveshja e Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë s’ka qenë aspak popullore politikisht në asnjërin nga vendet, por liderët ishin të guximshëm – dhe mendoj se e njëjta situatë është me Vuçiçin e Thaçin”.

Johnson ka thënë se nuk duhet të ketë vija të kuqe dhe as ide që s’duhen biseduar”. Ai ka shtuar se e kupton përse njerëzit shqetësohen nga korrigjimi i kufijve për shkak të efektit domino.

“Por në fund të fundit, gjithçka është në dorën e liderëve dhe qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës për të gjetur zgjidhje të cilat Amerika dhe Evropa duhet t’i mbështesin”.
Shtuar më 15/06/2019, ora 17:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori