Selmanaj: Teuta dhe Vjosa duhet të përjashtohen nga LDK
Driton Selmanaj, deputet i LDK-së, ka thënë se çdo deputet që del kundër vendimeve të partisë, duhet të largohet nga partia, ose partia duhet të heqë pikën e përjashtimit nga statusi.
Duke komentuar pjesëmarrjen e bashkëpartiakes, Vjosa Osmani, në partinë e Vetëvendosjes, Selmanaj ka thënë se LDK-ja i lejon veprimet e lira, por ai personalisht vlerëson se duhet të mos dilet kundër qëndrimeve të partisë.

“LDK-ja ka liri të shprehjes, por konsideroj se duhet të jemi të kujdesshëm me vendimet e partisë. Mendoj se kultura e respektimit të vendimeve të partisë është ‘ABC-ja’ e politikës. Duhet të mendosh se a duhet të jesh e kësaj partie më, nëse nuk përshtatesh me vendimet e partisë. LDK-ja s’ka problem, por unë vlerësoj se duhet të respektohet hierarkia partiake”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Këtu ka përmendur edhe Teuta Rugovën, deputeten që ka dalë kundër vendimeve të partisë.

Selmanaj ka komentuar edhe afrimin e partisë së tij me partinë tjetër opozitare Vetëvendosje. Sipas tij, është lajm i mirë që ish-kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, “për interesa të shtetit është në gjendje që të falë edhe veprimet që janë të dënueshme”.

Selmanaj ka shtuar se LDK-ja dhe VV-ja duhet të bashkëpunojnë, por LDK-ja duhet të ketë primatin e qeverisë. Ai ka thënë se LDK-ja duhet të jetë e prerë kundër ndonjë bashkëpunimi të mundshëm me PDK-në.

Shtuar më 05/10/2018, ora 09:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori