Vello dhe unazë, prapaskenat e martesës së Dafina Zeqirit me DJ (FOTO LAJM)

Dafina Zeqiri dhe DJ Geek gjithmonë lënë vend për dyshime lidhur me raportin mes tyre. Pas një romance që mbaroi shpejt, kolegët shfaqen të pandarë në bashkëpunimet në muzikë, ture apo koncerte të ndryshme, që i planifikojnë gjithmonë bashkë.

Ndërkohë që fansat e Dafinës ende mendojnë se ish-çifti janë rikthyer bashkë, ka pasur disa sinjale të forta nga vetë artistja. Postimet e fundit të Dafinës kanë ngritur dyshimet se ata jo vetëm janë rikthyer, por planifikojnë martesën. Duffye shfaqet me një unazë martese në gisht në një nga fotot në “InstaStory”, ku duket shumë e lumtur dhe e emocionuar dhe kjo të bën menjëherë të mendosh se Dafina është në prag martese.

Të gjithë mendojnë se e gjitha kjo ndodhi fare papritur, ndërsa të tjerë persona afër çiftit thonë se atyre vërtet u ka rënë në kokë për njëri-tjetrin. Këngëtarja ka fshirë të gjitha postimet në profilin e saj në “Instagram”, duke ruajtur vetëm njërin në veçanti: Duffye veshur me të bardha dhe mbuluar me vello të kuqe.

Si për të mos mjaftuar kjo, DJ Geek e ka komentuar me fjalët: “Nusja më e bukur”, ndërsa Dafina i është përgjigjur me ikonën e një çifti, një konfirmim mjaft i qartë. Ndërkohë që, duke marrë parasysh se strategjinë e fshirjes së fotove nga “Instagrami” e kemi parë nga Dua Lipa dhe Ledri Vula, si shenjë lajmërimi për publikimin e një projekti/albumi krejt ndryshe, me shumë mundësi Dafina dhe ekipi i saj po sjellin diçka si asnjëherë më parë. Megjithatë, prezenca e DJ Geek në lojën e Duffye-t tregon jo pak për raportin mes tyre, që mund të jetë një lidhje e bukur drejt martesës e jo vetëm marrëdhënie si miq të mirë pas ndarjes.

Dafina Zeqiri pati një lidhje të shkurtër me kolegun e saj DJ Geek, për të cilin mori vendimin të ndahej për shkak se marrëdhënia intime po u cenonte marrëdhënien e punës. Edhe pse kaloi pak kohë që nga ndarja e tyre, u kuptua më vonë që këngëtarja ende e dashuron atë. Gjatë një interviste, Dafina Zeqiri tha se vazhdon të jetë e dashuruar, duke treguar që Dj Geek është ende në zemrën e saj.

Ajo u shpreh se dashuron shumë dhe kurrë nuk do ndryshojë, pasi sipas saj, të duash është gjëja më e bukur që ekziston. “Jam ende pak e dashuruar se kam dashuri shumë të madhe, kështu që është ende në zemër, brenda meje. I love hard! I them vetes që do të dëshiroja që të mos doja kaq shumë, që do ndryshoj brenda vetes, do jem më e fortë, nuk do dashuroj kaq shumë, por jam ajo që jam. Nuk do ndryshoj kurrë. Gjithmonë do dashuroj shumë. Është gjëja më e bukur në ekzistencë për mua, bashkë me muzikën”, tha këngëtarja e ftuar në emisionin “Në kurthin e Piter Pan”.

Dafina Zeqiri foli gjithashtu edhe për dëshirën e saj për t’u bërë nënë. Ajo tha se kjo është një gjë që do t’ia lërë kohës, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë për të sjellë në jetë fëmijë pa partner. Mes batutave dhe humorit, ajo tha se nëse do nisë të bëjë fëmijë, nuk do ndalet, por do formojë një ekip futbolli. “Do të të pëlqente të ishe mami e dy binjakëve?”- u pyet këngëtarja nga moderatorja, Alketa Vejsiu.

“Një rrugë e dy punë, shumë mirë. Pse jo? Nuk do ndalem. Kur të nis fëmijën e parë, do vazhdoj të bëj një ekip futbolli (qesh). Fëmija është gjë e bukur, por është vendimi i femrës. Nëna ime ka rritur tri vajza vetëm. Nëse jemi të shëndetshëm, kështu që zero, një apo 5 fëmijë s’ka përcaktim. Ma bëjnë këtë pyetjen kur do martohesh, a ke fëmijë se shkove 31 vjeç. Sot mund të bësh fëmijë edhe pa partner. Kështu që, do t’ia lëmë kohës”, u shpreh këngëtarja.

Para pak javësh, “Panorama Plus” publikoi disa foto paparazzi ku shihej se Dafina po argëtohej në shoqërinë e Dj Geek, dhe miqve të tyre. Pak kohë më parë, në media qarkulloi me shpejtësi lajmi se këngëtarja e famshme dhe miku e kolegu i saj, i njohur si DJ Geek, kishin nisur një lidhje dashurie. E pasi festuan 14 shkurtin dhe ditëlindjen e saj të 31-të, Dafina sa hap e mbyll sytë deklaroi se i kishte dhënë fund kësaj romance të bukur, duke arkivuar kështu lidhjen më të shkurtër të jetës së saj, atë me kolegun simpatik. Së pari, këtë ndarje e nuhatën fansat, të cilët vunë re se dy muzikantët kishin fshirë fotot e videot çift në “Instagram”.

Dhe nuk vonoi Dafina duke e deklaruar vetë ndarjen nga kolegu i saj prej shumë vitesh, ndërkohë që janë pjesë e së njëjtës kompani muzikore në Prishtinë. Duke qenë se këngëtarja e famshme dhe shumë e pëlqyer shqiptare, Dafina Zeqiri, dhe DJ Geek prej kohësh kishin rrëmbyer vëmendjen e publikut me ngacmimet që i bënin njëri-tjetrit në rrjetet sociale, kurioziteti për historinë e tyre ishte i madh për të mësuar se çfarë ndodhi mes tyre. Në ditën e të dashuruarve, ata vendosën të ndanin me fansat një fotografi shumë të veçantë, që e kishin realizuar së bashku.

Bëhej fjalë për një foto të realizuar gjatë xhirimeve të klipit më të fundit të Dafinës, me titull “Merri krejt”. Në këtë foto, dy artistët ishin shumë pranë njëritjetrit, teksa Dafina qëndronte me duart rreth qafës së Geek dhe dukej sikur do t’i jepte atij një puthje publike konfirmimi. E pas kësaj romance të bukur që kaluan të dy, Dafina Zeqiri deklaroi ndarjen nga Dj. Geek. “Ishte një lidhje shumë e shkurtër e që përfundoi shpejt. Me sa duket, nuk shkojnë bashkë edhe puna, edhe lidhja romantike. Kështu, vendosa ta lë me kaq, pasi vlerësova faktin se puna dhe ekipi janë më të rëndësishme se lidhja.

Mendojmë të mbajmë ekipin sa më të shëndetshëm, sepse ne jemi si një familje. Kështu që, u desh me i dhënë fund lidhjes romantike për të shpëtuar lidhjen në ekip, që për ne është më e rëndësishme. Tani jemi single të dy”, sqaron Dafina për këtë histori. Dafina dhe Geek janë bashkëpunëtorë prej shumë kohësh, ndërsa vitin e kaluar bënë bujë me duetin e tyre shumë të suksesshëm “Alo”.

Ndërkohë, Dafina së fundmi po dëgjohet kudo me hitin e saj “Një herë në jetë”, që i dedikohet një historie dashurie që ka pengun brenda. Për ditëlindje ajo publikoi një video me momentet më të bukura që ka kaluar përgjatë vitit 2019, ndërsa mori urime të shumta nga fansat dhe miqtë e saj. Por më i veçantë ishte urimi nga DJ Geek. “Në këtë ditë speciale, po ngre dolli për ty dhe jetën tënde. Urime ditëlindjen!”, i shkruante ai. Ndërsa postimin e shoqëroi me një foto me Dafinën, ku dukeshin shumë të lumtur krah njëri-tjetrit.

NGA MIQËSIA NË DASHURI, ÇUDIA E LIDHJES SË DAFINËS ME DJ GEEK

Ai është miku i saj prej vitesh dhe lajmin se miqësia e tyre kishte kaluar në dashuri e konfirmoi vetë Dafina, ndërkohë që nuk mungonin postimet romantike në publik. Pas një fotoje të publikuar nga Dafina, Dj Geek ishte ai që i shprehu asaj dashurinë hapur. “Të dua”, shkruante ai. “Të dua më shumë!”, ia kthente Dafina. Kujtojmë se në verën e vitit që lamë pas, Dafina e mohoi kategorikisht lidhjen me kolegun e saj, e frikësuar nga dështimet e lidhjeve të mëparshme, të cilat kishin marrë fund pasi ishin bërë publike.

Lidhja me Dj. Geek nisi disa muaj pas ndarjes së saj nga ish-partneri Jose. Edhe pse ajo shkëmbente zemra me DJ-in, në një deklaratë për mediat, këngëtarja e mohoi këtë lajm disa muaj më parë. “Jo, nuk jam në lidhje me DJ Geek. Kanë qarkulluar po ashtu lajme se kam qenë në lidhje me Pëllumb Citakun (menaxherin e kompanisë ‘Moneyz’), i cili është djali i dajës. Kam 5 djem në ekip dhe jemi shumë të afërt me njëri-tjetrin, kuptohet si familje. Jemi bashkë pothuajse 24/ 7. Unë mbetem single dhe e vetmuar (qesh). U bë disa kohë që jam single dhe të them të drejtën, kurrë s’kam qenë më e lumtur”, është shprehur Dafina. Por s’vonoi shumë dhe po e njëjta Dafinë deklaroi se është kokë e këmbë e dashuruar dhe i dashuri i saj është pikërisht Dj. Geek.

Po kush është Genci, i njohur në muzikë si Dj Geek? Ai lëvron kryesisht muzikën dance. Më datë 4 korrik 2018, Dj Geek publikoi videoklipin “Sekreti”, në bashkëpunim me Argjentina Ramosajn. Në dhjetor 2018, Dafina Zeqiri & Dj Geek publikuan videoklipin “Alo”. Muzika e këngës u punua nga Cricket, ndërsa teksti u shkrua nga Liridon Berisha & Gesko.

Në gusht 2019, Dj Geek publikoi videoklipin “The Feeling”, në bashkëpunim me Tanin. Sa i takon jetës private, ai ka pasur një lidhje të gjatë 8- vjeçare me një nga prezantueset e programit “E diell”, Argjira Spanca. Për këtë hitori, Argjira ka folur pa komplekse në intervistat që ka dhënë. Ndërkohë, le të presim nëse pas fotove të Dafinës me unazë martese dhe vello nusërie fshihet një dhëndër si Dj Geek, apo e gjitha është strategji marketingu për klipin e radhës.


Shtuar 16.08.2020 12:04