Selimi mbështet Buzhalën
Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Petrit Selimi ka dalë në mbështetje të veprimeve të kolegut të tij të partisë së PDK-së, Berat Buzhalës. Sipas Selimit, është mirë wqë dikush po ngre zërin për diçka që nuk e ka ngritur askush për katër vjet.

“Miku im Berat Buzhala është deputet dhe e ka obligim politik ndaj votuesve të vet të jetë kritik aty ku e sheh si deputet se ka nevojë për përmirësime si: në shëndetësi, arsim, por edhe diplomaci. Më mirë bën ai që flet se shumëkush tjetër që nuk e hap gojën për katër vjet mandat në Kuvend”, ka thënë për “Epokën e re” Selimi.

Selimi ka thënë se PDK-ja është partia me potencialin më të madh evropian dhe me liderët më stabilë.

“Pavarësisht ankesave që mund t’i kemi, ende mendoj se PDK-ja është partia më e madhe, me potencialin më të madh evropian dhe me liderët më stabilë dhe më progresivë në peizazhin politik të Kosovës. Z. Thaçi, por edhe ministri Hoxhaj e ministrja Çitaku dhe shumë të tjerë janë ekip i shkëlqyer që bartin projektin e lirisë, pavarësisë dhe hyrjes së Kosovës në BE”, është shprehur Selimi.

Selimi ka folur edhe për garën zgjedhore Prishtinë.

“Po ashtu, mezi s'pres të fillojë edhe beteja politike për kryeqytet, ngase jam lindur dhe jam rritur në Prishtinë dhe besoj se 15 vjet pushtet i një partie i ka bërë shumë dëm në fund vendlindjes sime”, ka thënë Selimi.

I pyetur se sa është i kënaqur me pozitën e tij në PDK si anëtar i Këshillit Drejtues, edhe pse nuk është përzgjedhur në strukturat e Degës së PDK-së në Prishtinë. Selimi ka thënë se nuk është person që shtyhet me bërryla.

“Kam marr besimin e anëtarësisë të hyj në Këshillin Drejtues të PDK-së, kam marr besimin e kryeministrit Thaçi të jem personi i dytë në një dikaster të rëndësishëm dhe absolutisht jam i fokusuar ta punoj punën për të cilën e marr rrogën nga tatimpaguesit. Kam qenë aktivist i shoqërisë civile dhe medias që nga mosha 15-vjeçare dhe nuk jam dikush që do të shtyhem me bërryla. Vetëm rezultatet e punës duhet të jenë bazë e evoluimit, por jam i kënaqur me eksperiencën, miqtë dhe përkrahjen në PDK. Kjo është një maratonë e jo një sprint dhe ndryshimet sistematike dhe reformat e mëdha janë më të ngadalshme”, ka thënë Selimi. /albeu.com/
Shtuar më 19/05/2013, ora 12:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori