Selimi flet për listat e veteranëve
Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, përmes një letre të hapur dërguar nga burgu i Dubravës, ka kërkuar përgjegjësi për manipulimin dhe degradimin e procesit të verifikimit të veteranëve të UÇK-së.

Në letrën, të cilën sot e ka botuar “Koha Ditore”, Selimi thotë se përgjegjësia për degradimin e këtij procesi bie pikërisht mbi ata që ishin përgjegjës, duke filluar nga Komisioni qeveritar e deri te secili përgjegjës për verifikim në nivele të tjera, si në nivel kompanie, batalioni, brigade. etj.

“E drejta as nuk mund të fshihet e as të tjetërsohet. Dihet se kush ishin e kush nuk ishin luftëtarë të UÇK-së”, ka thënë ndër të tjera ish-komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi.

“Dëshmorët e lirisë janë më meritorët për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës. Por janë edhe veteranët dhe invalidët që meritojnë respekt dhe trajtim dinjitoz. Respekti dhe dinjiteti i invalidëve dhe i veteranëve të UÇK-së, shpesh janë lënduar me gjykime të padrejta për luftën e tyre, me trajtim jo të drejtë për ta e deri te manipulimet me të drejtat e tyre. Sot ata nuk kanë as trajtim të drejtë ligjor e as financiar dinjitoz”, thotë Selimi në letrën e tij të hapur dërguar “Kohës Ditore”.

Selimi thotë se procesi i verifikimit të veteranëve është manipuluar dhe degraduar deri në shkallën sa veteranët janë tash më të pambrojtur, më të parespektuar dhe të fyer.

Kujtojmë se në maj të vitit 2015, Gjykata Themelore e Mitrovicës e kishte shpallur fajtor Sylejman Selimin, duke e dënuar atë me 8 vjet burgim, për keqtrajtim të të ndaluarve në fshatin Likoc, në luftën e fundit në Kosovë.

Ndërsa, më 14 shtator të vitit 2016, Gjykata e Apelit kishte vendosur që të konfirmojë dënimet e shqiptuara nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, me disa ndryshime. Ajo ia zbuti dënimin Sylejman Selimit për një vit, nga 8 në 7 vjet burgim.

Të pakënaqur me këto dënime, mbrojtja i është drejtuar Gjykatës Supreme me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, megjithatë kjo kërkesë u refuzua.

Mbrojtësit e pakënaqur me këto dënime ju drejtuan Gjykatës Supreme të Kosovës me kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, por këto kërkesa u refuzuan nga Supremja.
Shtuar më 05/09/2017, ora 12:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori