Selimi: Azemi, njeriu që e përfaqësoi Kosovën në shtetet e Beneluksit
Me rastin e vdekjes së këshilltarit në Ambasadën e Kosovës në Bruksel, Gani Azemi, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës mbajti një mbledhje komemorative.

Në prani të familjarëve të të ndjerit dhe të kolegëve të tij, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës Petrit Selimi rikujtoi themelimin e MPJ para pesë vjetësh.

“Ndonëse mendohet se kemi nisur prej zeros, MPJ është e bazuar në punën e një pjese të stafit, i cili tash e 20 vjet merret me diplomaci. Z.Gani Azemi ka qenë i veçantë, sepse në kohën kur ka vepruar ai, në mërgatë e ka krijuar bazën e parë të diplomacisë moderne kosovare”, tha zëvendësministri Selimi.

Ai foli për njerëz si Gani Azemi që kanë pasur rol unifikues në mërgatë, pa dallime ideologjike, të cilët kanë krijuar organizatat e organizmat e parë në mërgatë që janë marrë me të drejtat tona, të drejtat e njeriut dhe e kanë këqyrë Kosovën si një fakt që duhet të kryhet, të bëhet e pavarur.

Gani Azemi bashkë me kolegët e tij, Enver Hadrin, Ramadan Gashin dhe me disa të tjerë, e kanë krijuar bërthamën e parë të prezencës sonë në shtetet e Beneluksit. Pasi foli për guximin dhe përkushtimin e z. Azemi për çështjen e Kosovës, zëvendësministri Selimi theksoi se aty i ka rrënjët edhe puna e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

“Nuk mundet kurrgjë me nisë prej zeros, as ne si njerëz, sepse gjithmonë ekziston një fill. Edhe filli i punës sonë, edhe filli i Republikës së Kosovës është në punën e njerëzve si Z. Azemi”, theksoi zëvendësministri Selimi.

Me një fjalë rasti para familjarëve dhe stafit të MPJ-së, u paraqit edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Bruksel (Belgjikë), Ramadan Gashi.

Lajmi për vdekjen e Gani Azemit, këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bruksel është dhënë më 25 nëntor, ndërsa varrimi i të ndjerit do të bëhet në Prishtinë, më 1 dhjetor.
Shtuar më 30/11/2012, ora 16:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori