Sejdiu uron Obaman për 4 Korrikun
Fatmir Sejdiu
Popullit të Republikës së Kosovës 4 Korriku ia përkujton zemërgjerësinë e paparë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkrahjen që ajo ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, si dhe për mbështetjen e gjithanshme që po jep sot për zhvillimin e vendit tim, thuhet në urimin e presidenti të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dërguar homologut të tij amerikan Barack Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve – 4 Korrikut.

Duke përkujtuar se kjo ditë e veçantë nderon historinë e pasur të Amerikës dhe të ardhmen prosperuese të SHBA-ve, presidenti Sejdiu ka theksuar se populli i Kosovës qëndron me Amerikën për ta nderuar këtë ditë monumentale dhe mbetet falënderues ndaj SHBA-ve për mbështetjen e palëkundur për Republikën e Kosovës.

“Ishin pikërisht principet e baballarëve themelues të shtetit Tuaj ato që prinë popullin amerikan dhe që premtojnë një ardhmëri të ndritshme për Shtetet e Bashkuara dhe për të gjitha ata që u besojnë idealeve tona të përbashkëta të lirisë dhe të paqes. Po ato principe e udhëheqin sot Kosovën dhe kjo lidhje e përbashkët në mes dy shteteve tona e ka shndërruar Kosovën dhe popullin e saj në aleatin më të palëkundur që Shtetet e Bashkuara kanë sot dhe do të kenë përherë në të ardhmen”, thuhet në urimin e presidentit Sejdiu.

Të premten në Prishtinë ambasada e SHBA-ve ka organizuar një pritje me rastin e shënimit të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, në të cilën morën pjesë krerë të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, përfaqësues të partive politike, diplomatë, përfaqësues të shoqërisë civile, KFOR-it etj.

Kjo festë kujton 4 korrikun e vitit 1776, kur delegatë nga 13 kolonitë amerikane shpallën zyrtarisht pavarësinë nga Anglia.
Shtuar më 04/07/2010, ora 16:20
Tage: sejdiu
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori