SBASHK: Nuk dorëzohemi, greva vazhdon
Përderisa greva në arsim po hyn në ditën e nëntë, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë duket e vendosur të mos heqë dorë nga kërkesat e tyre.

Kjo sindikatë po paralajmëron se nuk do ta ndalin grevën pa u realizuar një nga tri propozimet që ia kanë dhënë Qeverisë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se për gjithë këtë situatë, fajin e kanë institucionet që nuk po shprehen të gatshëm për plotësimin e kërkesave.

Jashari ka bërë të ditur se Qeverisë ia kanë paraqitur disa opsione, në mënyrë që situata të zgjidhet.

“Ne jemi shumë më të gatshëm ta vazhdojmë dialogun, pasi asnjëherë nuk kemi dalë vetëm me një ofertë. Propozimi ynë dihet dhe është publik: të ngrihen koeficientet së paku 30% për sektorin e arsimit. Mundësia e dytë që e kemi kërkuar është që të tërhiqet Ligji për pagat. Nuk e di pse po hezitojnë, pasi po të tërhiqej ligji, do të qetësohej situata. Nuk po luftojmë për paga tani, ne po luftojmë që sektori arsimor të ketë një vend meritor në ligjin për paga”, ka thënë Jashari.

Duke komentuar deklarimet e kryeministrit Haradinaj për zëvendësimin e orëve të humbura, i pari i SBASHK-ut ka thënë se një gjë e tillë nuk është e përcaktuar me Ligjin për grevat.

Jashari ka vlerësuar se institucionet duhet të gjejnë zgjidhje që greva të ndalet, e jo të tregojnë nëse duhet të zëvendësohen orët.

“Ligji për grevat e përcakton saktë. Nëse kompensohen këto ditë, do ta humbte arsyen greva. Institucionet duhet të përkujdesen që të ketë sa më pak ditë të humbura, nëse ato orë kompensohen vendosin mësimdhënësit e jo dikush tjetër”, deklaroi tutje Jashari për Telegrafin.

Ai ka vlerësëuar se Qeveria e Kosovës po barrikadohet pas ofertës që ua bënë, me rritjen e pagave e cila sipas Qeverisë arrin në rreth 20 milionë euro në vit.

Jashari ka thënë se oferta e tillë ka disa probleme, dhe si e tillë nuk është pranuar nga Sindikata.

“Qeveria po barrikadohet në një ofertë e cila ishte pasi e morëm dhe e shqyrtuam, nuk ishte e duhur. Dhe vërtetë kjo ofertë ka dy të meta: e para është se ka qenë tepër e vogël, pra më pak se 10% lëvizje të koeficientëve, dhe nuk janë përfshirë të gjithë sektorët. Pra është ofertë e pjesshme”, theksoi Rrahman Jashari.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se që nga e hëna nuk ka pasur asnjë takim me ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi për të diskutuar rreth kësaj teme.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nuk kanë mundësi për rritje më të madhe të koeficienteve pasi sipas tyre një gjë të tillë nuk e lejon buxheti.


Shtuar më 24/01/2019, ora 10:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori