Sami Lushtaku merr gjobën marraendëse për arratisjen nga burgu i Dubravës
Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku është shpallur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës.

Lushtaku është dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 12.000 euro.

Kështu ka bërë të ditur përmes një komunikate për medie, Gjykata Themelore në Prishtinë, ku janë dhënë edhe detaje tjera rreth aktgjykimit ndaj Lushtakut dhe pesëmbëdhjetë personave të tjerë.

“I akuzuari S.L është shpallur fajtor për dy vepra penale të Arratisjes së personit të privuar nga liria dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 12000 (dymbëdhjetëmijë) euro, të cilin dënim është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa për pikat tjera është liruar sepse nuk është provuar nga Gjykata se ka kryer veprat penale për të cilat është akuzuar”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Po ashtu dënim kanë marrë edhe tre të akuzuarit e tjerë, të cilët janë dënuar me nga 1 mijë euro gjobë.

“Të akuzuarit Y.B, G.A dhe XH.Z janë shpallur fajtor për dy vepra penale të Lirimit të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria në bashkëkryerje dhe janë dënuar me gjobë në shumën prej 1000 (njëmijë) euro, të cilin dënim janë të obliguar që ta paguajnë në afat prej 15 ditësh nga data e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa të tjerët janë liruar nga akuzat.

“Të akuzuarit E.TH, SH.H, S.L, S.J, I.H, M.L,D.G, B.D, A.B, Y.B, G.A, XH.Z, A.U, I.D, S.GJ, N.SH janë liruar nga akuza sepse nuk është provuar nga Gjykata se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar. Ndërsa për të akuzuarin S.GJ, Gjykata ka marr aktgjykim refuzues për shkak se i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në komunikatën e Themelores, ku po ashtu bëhet e ditur se palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Shtuar më 14/04/2020, ora 16:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori