Daciç: Rusia e detyruar t’i njohë pasaportat e Kosovës
Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç është shprehur se Rusia nuk e ndryshon qëndrimin për Kosovën dhe se ka qënë e detyruar të njohë dokumentet e Kosovës në disa raste.

Ai ka thënë për gazetën "Blic" se, vendimi i Moskës "nuk do të thotë hyrje në njohjen e dokumenteve të Kosovës".

"Kjo është, për fat të keq, pasojë e pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe këtë duhet ta respektojnë të gjithë. Qëndrimi rus për Kosovën mbetet i pandryshuar”, ka thënë Daçiç.

Dje, Ambasada ruse në Beograd njoftoi se:

"Hyrja me pasaportat e të ashtuquajturës 'Republikë e Kosovës' në territorin Rusisë është i mundur vetëm në rastet që bazohen në respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të Rusisë në cilësinë e palës –pranues i ngjarjeve që organizohen përmes strukturave multilaterale, anëtare ose pjesëmarrëse e të cilave është e ashtuquajtura 'Republikë e Kosovës', si dhe për shkak të sigurimit të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të saj në ngjarjet sportive, të cilat mbahen në territorin e Rusisë nën përkujdesjen e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik ose të federatave relevante ndërkombëtare sportive". /albeu.com/
Shtuar më 01/08/2015, ora 15:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori