U jepnin shoferëve certifikata false të errësimit të xhamave, pezullohen 4 punonjës Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor

Ditën e sotme 4 punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Fier që janë pezulluar nga detyra, pasi u jepnin drejtuesve të automjeteve certifikata false të errësimit të xhamave.

Bëhet fjalë për shtetasit Reans Stavre, Ibrahim Nallbani, Mariglen Myrtaj dhe Dervish Xhulaj.

Po ashtu janë arrestuar Vilson Duleviç dhe Xhoniard Aliu, pronarë të 2 bizneseve me këtë aktivitet tregtar.

Njoftimi i policisë:

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Fier, si rezultat i një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit.

Pajisnin drejtuesit e automjeteve, me certifikata false të errësimit të xhamave, vihen në pranga 2 shtetas, pronarë të 2 bizneseve me këtë aktivitet tregtar.

Pezullohen nga detyra 4 punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, Fier, pasi dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në kuadër të një procedimi penal, të referuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Fier dhe të ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, pas një hetimi disamujor, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Kolaudimi”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

-V. D., 29 vjeç dhe Xh. A., 32 vjeç, të dy banues në Fier, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u ekzekutuan masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:

-R. S., 32 vjeç, I. N., 45 vjeç, M. M., 39 vjeç dhe D. Xh., 34 vjeç, të katërt banues në Fier.

Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasit V. D. dhe Xh. A., përmes bizneseve përkatëse, pajisnin drejtuesit e automjeteve, me certifikata false të errësimit të xhamave, ndërsa 4 punonjësit e pezulluar të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Trasportit Rrugor Fier, dyshohet se duke pasur dijeni për falsitetin e këtyre certifikatave, vlerësonin automjetet si të rregullta, gjatë kontrolleve që kryenin, në pikat e kolaudimit, në Fier dhe në Lushnjë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.