Rritet numri i të vdekurve në burgjet e Kosovës
Numri i të burgosurve që po vdesin gjatë vuajtjes së dënimit këtë vit është më i lartë se vitin e kaluar.

Dje, në moshën 27-vjeçare vdiq i burgosuri I.A i cili vuante dënimin në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Për këta muaj të 2019-ës kanë vdekur pesë të burgosur. Këto të dhëna i ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës për Indeksonline.

“Gjatë vitit të kaluar kanë vdekur tre të burgosur, ndërsa gjatë këtij viti, deri më sot kanë vdekur pesë të burgosur. Mosha e tyre sillej prej 27 deri në 69 vjeç”, në përgjigjen e tyre.

E arsyet e vdekjeve të tyre janë të ndryshme, shumica si pasojë e sëmundjeve.

“Vdekjet kanë ardhur si pasojë e sëmundjeve të tyre. Kryesisht po vuanin nga sëmundje të rënda, si kanceri, sëmundje të zemrës, sëmundje infektive, etj”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen.

Shërbimi shëndetësor që funksionon në burgje të cilat janë nën autoritetin e Ministrisë së Drejtësisë, për shkak të specifikave organizohet dhe mbikëqyret nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve (DSHB) në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në një raport të Drejtorit të këtij Departamenti, Milazim Gjocaj, dërguar Ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili, ka bërë të ditur në detaje aktivitetet shëndetësore të kryera ndaj të burgosurve nëpër të gjitha qendrat korrektuese.

Në këtë raport, për tre muaj janë bërë në total 14 mijë e 552 konsultime shëndetësore ndaj të burgosurve.

Në këtë raport thuhet se vete lëndime kanë pasur në total 47 persona, lëndime trupore 92 të burgosur, raste në grevë urie 27, tentim vetëvrasje 27, izolim (Vetmi) 197 raste, ndërsa abuzime seksuale nuk ka pasur.
Shtuar më 16/06/2019, ora 08:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori