Rreh profesorin pasi nuk i kaloi gruan në provim
Pëlqej
Profesori i Fakultetit të Mjekësisë, Milaim Sejdini është sulmuar fizikisht nga një person i njohur për organet e rendit. Rasti ka ndodhur të enjten e 5 korrikut të këtij viti, kur i dyshuari F.Dobra e kishte sulmuar profesor Sejdinin pasi ky i fundit e kishte kthyer prapa nga kollokviumi gruan e tij.

Profesori Sejdini ndonëse e ka konfirmuar rastin, nuk ka dashur të flas gjatë për ngjarjen, duke thënë se tani organet e rendit po merren me trajtimin e rastit.

“Nuk dua të flas gjatë për atë rast, pasi atë e kam paraqitur në polici dhe janë organet e hetuesisë ato që merren me të”, ka thënë Sejdini për Indeksonline.

Ai tha se studentja (gruaja e të dyshuarit) ka hyrë në kollekvium, mirëpo ka qenë e dobët dhe e ka kthyer prapa, kurse më vonë burri i saj, sipas profesorit, në shenjë hakmarrje e ka sulmuar fizikisht atë.

Ky rast është paraqitur menjëherë në Stacionin e Policisë Nr.4 në Prishtinë ndërsa hetuesit kanë kryer punën e tyre duke intervistuar viktimën dhe të dyshuarin.

Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale në Prishtinë ka thënë për Indeksonline se rasti është paraqitur me 5 korrik ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti rast është kualifikuar “Sulm”.

“Rasti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është cilësuar “Sulm”. Personi i dyshuar është intervistuar nga zyrtarët policor ndërsa me urdhër të prokurorit, i njëjti është liruar në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Ahmeti.

Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj të dyshuarit ndërsa tani janë organet e drejtësisë ato që do ta trajtojnë tutje sulmin fizik ndaj profesorit të mjekësisë.
Shtuar më 13/07/2018, ora 16:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori