34-vjeçari kishte mbjellë tokat me kanabis në Durrës, policia i djeg bimët dhe vihet në kërkim të tij

Policia ka  shpallur në kërkim një 34-vjeçar në Durrës, pasi kishte mbjellë ë tokat e tij 254 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Kontrolle masive në të gjithë territorin, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Sekuestrohen dhe asgjësohen me anë të djegies qindra bimë narkotike, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të tyre.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur edhe dronë.

Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Kapedanaj, Ishëm, në një sipërfaqe toke, pronë private, janë gjetur të kultivuara 254 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Në vijim të veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi A. Gj., 34 vjeç, banues në Kapedanaj, Ishëm.

Strukturat e Policisë vijojnë punën për kapjen e shtetasit A. Gj., si dhe për identifikimin dhe vënien në pranga të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./albeu.com