Rrëfimi i shqiptares së plagosur që mahniti botën gjatë luftës në Kosovë
Hyrë Jasharaj e ka parë me sy vdekjen. Por nuk iu dorëzua as në luftë. Guximi i saj do të mahniste lexuesit e gazetave më të mëdha kur krejt bota kishte kthyer sytë nga Kosova. Historia e dhimbshme, njëherësh inkurajuese e filloristes së shkollës “Martin Camaj” në Gurrakoc të Istogut, do ta prekte edhe zemrën e sipërmarrëses më të pasur të Amerikës Latine, Amalia Lacroze de Fortabat.

Tani, mësimdhënësja e suksesshme, emocionohet kur flet për humanizmin e argjentinases së ndjerë. Gazetat ishin mjeti i vetëm i komunikimit të tërthortë ndërmjet tyre. Jasharaj ato i ruan me fanatizëm, dëshmi e një historie tragjike dhe shprese. Shtypi i kohës shpesh bëhet shkas për kthim në vitin 1999, shkruan sot Koha Ditore.

Aty bëhet e ditur se menjëherë pasi e kishte lexuar shkrimin e Jon Swainit në “The Sunday Times”, Fortabat kishte ndarë gjysmë milioni dollarë amerikanë donacion për refugjatët e Kosovës. Gjetjen e Hyrë Jasharajt e kishte shndërruar në mision personal. Sidomos, meqë edhe vetë kishte pësuar një frakturë në ije.

Pa e takuar e njohur fare, Jasharaj do ta frymëzonte mrekullisht pronaren e perandorive biznesore në vlerë prej 1.3 miliardë dollarësh. Tinejxherja e plagosur në Kosovë, në luftë, po ngjallte shpresë për humanisten plakë në Argjentinën e paqes. Ishte pranvera e ’99-s.
Shtuar më 17/02/2018, ora 12:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori