Rrëfimi i dëshmitarit për Tivarin
Rekrutet shqiptare para masakres se Tivarit
Ahmet Bajraktari është ndër dëshmitarët e rrallë që ka mbetur gjallë që me sytë e tij ka parë gjurmët e masakrës së Tivarit. Në Tivar ka parë gjak, e rroba të të masakruarve nga çetnikët. 83 vjeçari nga Kishnareka e Prizrenit, si 17 vjeçar, ishte partizan, i cili ka luftuar kundër gjermanëve në Togir të Kroacisë. Tash është i lumtur që ka përjetuar pavarësinë.

***

Librat e historisë që tregojnë masakrën e madhe të Tivarit, ku u vranë mijëra shqiptarë të Kosovës, edhe mund të tregojnë ndryshe atë ngjarje të rëndë.

Por, kjo nuk i bën përshtypje Ahmet Bajraktarit nga Kishnareka e Prizrenit, për faktin se ai, tash 83 vjeç, e ka përjetuar vetë këtë ngjarje. Në kujtesën e tij kanë mbetur të gdhendura edhe datat e kësaj masakre, e cila u bë nën parullën e Vëllazërim-bashkimit dhe Luftës Nacional-çlirimtare.

Ishte vetëm 17 vjeç, kur ushtria serbe e mori atë bashkë me shtatë burra të tjerë nga vendlindja e tij, Kishnareka, për t’i dërguar në Kroaci në luftë kundër gjermanëve. Historinë e jetës së tij, Ahmeti zgjodhi ta rrëfejë për Express vetëm për një arsye. “Nuk po du me vdek e me marr me veti një pjesë të historisë që i duhet pasardhësve tanë”, thotë ai.
Udhëtimin me misionin e ushtarit, Ahmeti e kishte filluar nga qyteti i Prishtinës.

“Mu edhe të tjerët nga fshatrat përreth na kanë nis për Prishtinë. Aty kemi qëndru disa ditë, derisa çetnikët i kanë mbledh gjithsej 4 mijë kosovarë, për t’u nis pastaj për në qytetin e Shtimes”, tregon plaku.
Përveç rrugëtimit nëpër qytete, ai mban mend edhe detajet e tjera më të hollësishme, edhe përkundër moshës së tij të shtyrë. “Kolona e njerëzve ka qenë afërsisht 4 kilometra e gjatë. Në kolonë ka pas pleq, por ka pas edhe shumë të rinj. Atë natë kemi fjet në Shtime, por gjithmonë i kam pas çetnikët e armatosur prapa duke na përcjellë”, rrëfen Ahmet Bajraktari.

“Një natë e kemi kalu në Shtime, kurse të nesërmen jemi nis për në Prizren, për t'u nis drejt Kukësit. Aty na kanë vdek 6 të moshuar, sepse gjithë këtë rrugë e kemi bërë pa ngrënë asgjë”, kujton Ahmeti i cili thotë se ka qenë dëshmitar edhe kur i kanë mbyt dhe i kanë hedh në lumin e Drinit pleqtë, të cilët lodheshin dhe që nuk mund të ecnin.

Sidoqoftë, edhe pse tregon një histori të dhimbshme për të dhe popullin e Kosovës, Ahmet Bajraktari nuk ndalet së përshkruari rrugëtimin e tij të gjatë. Tashmë ai me turmën tjetër kishin hyrë në shtetin shqiptar, në Shqipëri, gjithnjë pa ngrënë e pa pirë asgjë. Në hyrje të Shkodrës, sipas Ahmetit, ishte një djalë i vogël që shiste ujë. “Një gotë ujë të thjeshtë të mbushur në lumin e Bunës e shiste 5 lekë. Po vdisja për ujë, mirëpo nuk kisha asnjë lekë në xhep. Një bashkudhëtar imi m'i huazoj dhe unë e bleva ujin”, tregon Ahmeti.

Përveç gotës me ujë që u detyrua ta blejë me të holla, Ahmeti mbetet i çuditur edhe për një gjë tjetër. “Gjithë atë rrugë e bëmë nëpër Shkodër, askush nga ai shtet nuk doli për të pyet se ku po na çojnë, a kush jemi ne”, pohon ai. Prej Shkodrës, ai thotë se turma e kosovarëve u nis drejt qytetit të Tivarit vetëm disa ditë pas masakrës së madhe, që u bë në prill të vitit 1945.

“Kur kemi mbërri afër Tivarit, i kemi parë të gjitha gjurmët e masakrës së Tivarit, e cila ishte bërë 5 ditë para se të mbërrinim ne. Kemi parë plisa, tirq e shumë copa të rrobave të shqiptarëve, të cilët i kishin masakru. Madje, as gjakun nuk e kishin pastru ende”, shpjegon Ahmeti i cili thotë se gjatë qëndrimit njëditor në qytetin e masakrës nuk e ka taku askënd nga shqiptarët, të cilët i kishin shpëtuar asaj masakre. “Po, jam dëshmitar që me sytë ë mi i kam parë të gjitha këto”, thotë i bindur ish-partizani Ahmet Bajraktari.

“Të nesërmen u nisëm me një anije që bartte mallra për në Kroaci. Por, kësaj radhe udhëtimin e bëmë vetë. Çetnikët që rrugëtuan me ne deri aty nuk erdhën”, kujton Ahmeti.
Ai thotë se me të mbërritur në qytetin e Splitit, ushtria kroate e mori atë bashkë me të tjerët dhe u nisën drejt qytetit të bukur të Togirit, aty ku edhe i përfunduan ushtrimet ushtarake prej 10 ditësh, për t’u përgatit për luftë kundër ushtrisë gjermane.

Të gjithë këtë tregim, Ahmeti vendosi ta tregonte vetëm për ta shpalosur një sekret të cilin e kishte ruajtur për 65 vite me radhë. Tregimi se si ai e kishte shpëtuar një ushtar gjerman. “Në momentin kur u dorëzuan gjermanët, nga gëzimi ushtria jonë u nis prapa me ushtarët e dorëzuar për të festuar. Por, për një moment nga mali doli një ushtar gjerman i cili akoma nuk ishte dorëzuar, e i cili ishte akoma i armatosur. Megjithatë koloneli e pa, ia drejtoi armën dhe e detyroi të çarmatoset”, rrëfen plaku Ahmet.

“E pushkën e ushtarit ma dha mua dhe më dha urdhër ta pushkatoj. Por, e lusja Zotin të mos më thoshte ta pushkatoja para syve të tij, se e bëra plan ta vras komandantin dhe të ikja bashkë me ushtarin gjerman drejt kufirit të Italisë, i cili nuk ishte shumë larg”, tregon ish-partizani.

Mirëpo, si duket Zoti e kishte dëgjuar lutjen e tij. “Koloneli më tha ta dërgoja diku tjetër që ta vrisja dhe u nis drejt ushtrisë e cila po vazhdonte festën e mbarimit të luftës. Kurse unë u nisa drejt vendit ku më tha koloneli ta pushkatoja ushtarin”, thotë Ahmeti i cili kishte gjuajtur me atë pushkë, por jo drejt ushtarit.

“E kapa pushkën dhe gjuajta në qiell, vetëm sa për ta bind kolonelin që e vrava. Atij ia mora setrën, ia zgjidha duart dhe e lëshova të shkojë. Kurse unë u ktheva te bashkëluftëtarët e mi”, rrëfen Ahmeti sekretin të cilin deri më sot nuk ia ka treguar askujt.

E kjo ishte edhe dita e fundit për Ahmetin si ushtar, sepse një ditë pas përfundimit të luftës, partizanëve u erdhi urdhri që të rinjtë dhe pleqtë të lëshohen nga ushtria. “Pasi që isha 17 vjeç më lëshuan edhe mua”, thotë Ahmeti i cili me kaq e përfundon historinë e tij. Mirëpo, vetëm atë të ushtarit. Kjo sepse, përveç luftëtar, Ahmeti ka qenë edhe arsimtar i gjeografisë dhe i historisë.

“Jam kthy në Kosovë dhe në vitin 1950 e kam përfundu shkollën. Për 40 vite me radhë kam punu në arsim këtu në Prizren. Kam qenë arsimtar i gjeografisë dhe historisë derisa dola në pension”, tregon partizan Ahmeti, tashmë i shndërruar në mësues.

Sidoqoftë, nga një familje e madhe atëkohë, tash plaku Ahmet jeton në një shtëpi shumë të vjetër, vetëm me djalin e tij i cili është me aftësi të kufizuara. Përveç pensionit, ai nuk ka të ardhura të tjera. “Ndonjëherë më ndihmon edhe Kryqi i Kuq, kurse shteti asnjëherë nuk është interesuar për mua”, thotë Ahmet Bajraktari i cili në rrëfimin e tij të gjatë nuk la pa e përmend edhe 17 shkurtin, ditën kur është gëzuar më së shumti. “Jam në gjendje me i harru krejt këto vuajtje, pasi e prita gjallë edhe pavarësinë e Kosovës për të cilën jemi mundu shumë. Po ishalla dimë me majtë”, tha 83 vjeçari Ahmet Bajraktari. (Lirita Halili, express)
Shtuar më 19/09/2010, ora 16:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori