Rrëfehet nëna e 4 fëmijëve e kthyer nga Siria në Kosovë
Që nga fillimi i luftës në Siri, qindra shqiptarë të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe gra e fëmije kishin shkuar atje duke ju bashkuar fillimisht grupeve opozitare që luftonin kundër qeverisë së presidentit sirian, Bashar Al Assad, e më pas edhe grupeve ekstreme si Shteti Islamik. Pas rënies së këtij grupi, në pranverën e këtij viti autoritete kthyen në Kosovë 110 veta, në mesin e të cilëve 32 gra. Në vazhdim ju ftojmë të ndiqni rrëfimin e njërës prej grave të kthyera prej andej. Për arsye sigurie, Zëri i Amerikës do ta identifikojë atë me emrin Leonora që nuk është emri i saj i vërtetë.

Leonora, emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë, vite më parë thotë se ishte pajtuar me të shoqin që ta linin Kosovën për të jetuar në një shtet tjetër. Por, deri në çastet e fundit, ajo thotë se nuk e kishte ditur se burri i saj po e dërgonte në Siri.

“Nuk jam pajtuar sepse kishte rrezik, ishte zonë lufte dhe nuk jam pajtuar të shkojmë. Por gjithçka ishte e komplikuar sepse ai (burri i saj) nuk ma bënte të qartë që po shkojmë në Siri. Nga këtu ne në fakt u nisëm për një tjetër shtet në të cilin unë u pajtova të shkojmë bashkë, por në momentin e fundit pasi ne arritëm në Turqi ai vendosi që do të shkojmë atje (në Siri)”,thotë ajo.

Me të arritur atje, Leonora mbetet bashkë me gra të tjera të shqiptarëve që kishin shkuar nga Kosova për të ju bashkuar luftës në Siri. Përgjatë asaj periudhë thotë se e takonte të shoqin vetëm gjatë vizitave të tij. Pas dy vjetësh i shoqi ishte vrarë në luftë.

“Pas dy vite e gjysmë gjërat filluan të ndryshojnë, nganjëherë mbeteshim pa shtëpi dhe dy apo tre familje jetonim në një shtëpi, secili nga një dhomë. Pagesat tona po uleshin nga dita në ditë, ndërsa në fund në vitin e fundit, muajt e fundit ishte më së keqi, ishte e tmerrshme. Nuk kishim ushqim mjaftueshëm, sepse u mbyllën kufijtë dhe ushqimet që na sillnin ishin të pakta prandaj njerëzit filluan të ziheshin për ushqim, ishte shumë vështirë shumicën e kohës por ne po mbijetonim akoma duke shpresuar për një jetë më të mirë”, thotë ajo.

Leonora thotë se ka jeta e saj ka qenë shumë e vështirë pas humbjes së të shoqit.

“Kur e mendon sot a të duket e pakuptimtë, pra a mendon se keni qëndruar dhe vuajtur pa arsye? – Jo nuk mendoj ashtu. – Nuk mendon ashtu? – Kishte shumë gra atje, shumë njerëz, dhe të gjithë kishin arsyet e tyre pse kanë shkuar. Disa kanë shkuar sepse kanë dashur të jetojnë në një vend që funksionon me Sheriat, disa kanë shkuar për shkak të burrave të tyre, disa në kërkim të jetës më të mirë sepse të premtojnë që do të japin shtëpi, para dhe ndoshta veturë dhe do të jetosh jetë jo luksoze por normale, disa nuk e kanë ditur se ku po shkojnë vetëm e kanë gjetur veten atje pra kishte një kuptim, kishte diçka….”, thotë ajo.

Leonora, nënë e katër fëmijëve, është pjesë e grupit prej 110 personave që autoritetet e Kosovës i kthyen në prill të këtij viti nga Siria.

“Nuk kemi menduar se do të kthehemi ndonjëherë, për ne çdo gjë kishte marrë fund menduam se do të jemi gjithë jetën atje, do të vdesim atje prandaj ishim tepër të lumtur që u kthyem sepse që kur kemi shkuar në kampe ka qenë e tmerrshme, jeta ishte shumë, shumë e vështirë. Nuk kishim shpresë sepse kishte njerëz nga të gjitha shtetet në kamp, ne po mendonim që nëse ta zëmë Gjermania ose Anglia apo shtetet e forta nuk po i marrin njerëzit e vet, si mund të na marrë ne Kosova kur është shtet më i dobët. Pastaj erdhën na thanë se Kosova po ju kërkon dhe ishte si të lindnim përsëri”, thotë Leonora.

Shtuar më 19/09/2019, ora 20:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori