Rrahmani: Partneriteti spitalor publik-privat do aplikohet edhe në Kosovë
Ashtu si Shqipëria, edhe Kosova së shpejti do të aplikojë në sistemin shëndetësor partneritetin publik-privat. Në këtë mënyrë qytetarët e Kosovës do të marrin falas disa shërbime shëndetësore si në spitalet publike, ashtu edhe në ato private. Këtë e ka shprehur ditën e sotme në Tiranë ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Imet Rrahmani gjatë një takimi që pati me homologun e tij shqiptar Ilir Beqaj.

Por sipas ministrit Rrahmani është me rëndësi konsolidimi i strukturës së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore që pritet të mbyllet këtë vit. Pas kësaj, sipas ministrit Rrahmani do të mundë sohet edhe aplikimi i partneritetit publik-privat në shëndetësinë kosovare.

“Parashikohet edhe partneriteti publik-privat, janë vendosur relacione të mira edhe më shërbimet shëndetësore private në Kosovë dhe ne e kemi rregulluar me një bazë ligjore më të cilën shërbimet shëndetësore që ofrohen në sektorin privat ju ofrohen edhe qytetarëve të Kosovës. Ne i kemi mbuluar deri më tani harxhimet mirëpo është një handikep i shëndetësisë kosovare që ende ne nuk e kemi të konsoliduar fondin e sigurimeve shëndetësore. Është ky viti i fundit, vitit kritik po e themi që synojmë ta funksionalizojmë, të fillojmë me mbledhjen e premiumeve dhe me fillimin e sigurimeve shëndetësore,” tha ministri i Shëndetësisë së Kosovës.

Shqipëria ka nisur ta aplikojë këtë metodë dhe si fillim është menduar që spitalet private të ofrojnë kontrollin e përgjithshëm (chek up) për moshën 40 deri në 60 vjeç, urgjencën, gjurmimi i barnave, si dhe shërbime si dializa, imazheria, kimioterapia apo edhe transplantet që janë shumë të shtrenjtë.

Për këtë partneritet publik-privat pacienti nuk do të paguajë asgjë pasi gjithçka do të mbulohet nga buxheti i shtetit apo Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.
Sa i përket mbledhjeve të përbashkëta të qeverive, dhe angazhimeve të marra në mbledhjen e parë në sektorin e shëndetësisë të dy ministrat e Shëndetësisë të Shqipërisë dhe Kosovës thonë se janë realizuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e parë të dy qeverive dhe se tashmë po mendohet për hapësira të reja bashkëpunimi. /albeu.com/
Shtuar më 14/01/2015, ora 13:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori