Rolin kryesor për demokratizim e kishte kuvendi
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer, ka uruar publikun dhe deputetët me rastin e përvjetorit të dhjetë të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se Kuvendi ka dhënë kontributin kryesor për demokratizim në Kosovë përmes tri funksioneve të veta kryesore të përfaqësimit, ligjvënies dhe mbikëqyrjes së qeverisë.

“Dhjetë vitet e para mund të kenë qenë më sfiduese, por Kuvendi ka treguar aftësitë për t’iu përshtatur ndryshimeve dhe ka vendosur themelet e traditës parlamentare në Kosovë. Ka aprovuar aktet ligjore që garantojnë të drejtat themelore të secilit person për t’u shprehur lirshëm, që të shoqërohet me të tjerët, dhe të votojë për përfaqësuesit e tyre në zgjedhje”, citon RTV21 fjalët e Almhofer, i cili megjithatë, ka theksuar se përkundër progresit akoma mbesin sfida.

Kuvendi duhet që të monitorojë në mënyrë më aktive implementimin e ligjeve që i ka miratuar, të caktojë buxhetin e nevojshëm për implementimin e tyre, sigurojë që procedurat të jenë të hapura për publikun dhe që dokumentet e tij të jenë në dispozicion në gjuhët shqipe dhe serbe. Në mënyrë që të shtojë rolin mbikëqyrës, Kuvendi duhet të përmirësojë bashkëveprimin me institucionet e pavarura, duke përfshirë Ombudspersonin, Bordin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbime Civile dhe Komisionin e Pavarur për Media .

E inkurajoj Kuvendin që të sigurojë që institucionet e pavarura që i ka themeluar të funksionojnë si duhet dhe që anëtarët e bordit të këtyre institucioneve të emërohen me kohë dhe pa ndërhyrje politike. Gjithashtu Kuvendi duhet të sigurojë resurse njerëzore dhe financiare të nevojshme’, ka shtuar ambasadori i OSBE-së.
Shtuar më 10/12/2011, ora 18:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori