Roli amerikan i pazëvendësueshëm
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti të martën një delegacion të kongresistëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Dan Burton. Në këtë takim u bisedua për aktualitetin kosovar, për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për implementimin e reformave institucionale, si dhe për tema tjera me interes.

Kryeministri Thaçi në takimin me kongresistët amerikanë Dana Rohrabacher, Dan Burton, dhe Theodor Poe, prezantoi përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e qeverisjes së mirë, transparente, efektive, me theks të veçantë përkushtimet për implementimin e reformave në ekonomi, politikë dhe legjislacion, zbatimin e vizionit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit.

Në takim, kryeministri Thaçi theksoi se tri vite pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Kosovës është dëshmuar si faktor paqeje, stabiliteti, bashkëpunimi, zhvillimi dhe integrimi. Ai tha se në këtë storie suksesi, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dhe do të mbetet përherë rol jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm.

Në takimin me kongresistët amerikanë, kryeministri Thaçi shprehu vizionin dhe hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për investimet ekonomike ndërkombëtare në Kosovë.

Sipas një komunikate për media, në emër të delegacionit të kongresistëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dan Burton, pasi shprehu falënderimet e tij dhe të anëtarëve të delegacionit, për pritjen e përzemërt nga ana e kryeministrit Thaçi, theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të fuqizohet edhe më tej, në funksion të avancimit të proceseve pozitive për të tashmen dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Vlen të theksohet se njëri nga kongresistët e pranishëm, Dana Rohrabacher, ditë më parë ka thënë se zgjidhja më e mirë për veriun e Kosovës do të ishte shkëmbimi i saj me jugun e Serbisë. Ai ka thënë se kjo nuk do të përbënte precedent për askënd nëse Kosova dhe Serbia do ta njihnin pavarësinë e njëra-tjetrës dhe do të pajtoheshin për ndryshim paqësor të kufijve.
Shtuar më 08/11/2011, ora 23:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori