Rogova: Nuk e di se kush më emëroi në Kryesi të PDK-së
Ethem Rugova është habitur kur ka dëgjuar se emri i tij është futur në listën anëtarëve të Kryesisë së re të PDK-së në Prizren. Ai tha se nuk ka qenë as i informuar për këtë emërim nga askush të PDK-së.

”Me mua askush nuk ka biseduar dhe as nuk kam qen i informuar se do të më emërojnë anëtar i Kryesisë së PDK-së. Për herë të parë kam dëgjuar nga mediat. Jam habitur kur kam parë emrin tim në listë të Kryesisë së re “, tha Rogova për “PrizrenPress”.

Këshilli drejtues i PDK-së në Prizren, ka zgjedhur javën e kaluar Kryesinë e re, prej 37 anëtarëve. Kryetari i Degës, ndërkaq është lënë që të zgjedhet në të ardhmen. Zgjedhja e Kryesisë së PDK-së në Prizren është bërë me aklamacion, pa iu nënshtruar procesit të votimit. Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, i ka nxjerr nga xhepi emrat e anëtarëve të Kryesisë së PDK-së në Prizren. Katër prej anëtarëve të Kryesisë së re, Thaçi ka emëruar jashtë Këshillit drejtues të Degës. Në mesin e katër të emruarëve, ka qenë edhe anëtari i ri, Ethem Rogova. Thaçi në mbledhje kishte kërkuar vetëm aprovimin emrave të përzgjedhur.

Anëtari i emëruar i Kryesisë së PDK-së në Prizren, Ethem Rogova akuzon Ramadan Mujën, se ia ka mohuar të drejtën që t’i nënshtrohet në mënyrë të rregullt procesit zgjedhor të PDK-së.

“Në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së që është mbajtur në fund të vitit të kaluar një anëtar më ka propozuar për Këshill drejtues, mirëpo kryetari Ramadan Muja ka kundërshtuar duke thënë se Ethemi nuk bënë me qenë në Këshillin drejtues. Unë nuk kam qenë prezentë në ato zgjedhje por kështu më kanë informuar”, tha Rogova.

Ai pranon se nuk qëndron mirë me kryetarin Ramadan Muja. “Unë nuk komunikoj me Mujën , prandaj ai ma ka refuzuar të drejtën për t’iu nënshtruar procesit zgjedhor të PDK-së. Nuk e di pse por, unë kam qenë i padëshirueshëm për ish-Kryesinë e vjetër dhe Mujën“, tregon Rogova.

Ai pranon se emërimi i tij në Kryesi të re të PDK-së nuk është e rregullt. “Unë me profesion jam avokat dhe nuk mund të them se ky emërim i imi është i rregullt. Do të bëja skandal profesional po të deklaroja se emërimi im në këtë mënyrë është i rregullt. Por, unë pavarësisht kësaj them se kam të drejtë të marrë pjesë në Kryesi të re të PDK-së, sepse më është mohuar nga Muja e drejta për t’iu nënshtruar procesit zgjedhor. Jam i sigurt se po të mos ma kishin mohuar këtë të drejtë jam i sigurt se me vota të rregullta do të kisha fituar edhe për Këshill drejtues, por edhe për Kryesi“.

Rogova nuk është as në dijeni se kush e ka emëruar në këtë mënyrë në Kryesi të PDK-së.“Unë nuk e di se kush më ka futur në këtë mënyrë në Kryesi të re të PDK-së, por po e ritheksoj se do ta respektoj. Sigurisht që Hashim Thaçi e ka parë se vlerat e partisë mungojnë në PDK, por nuk mund të them se ai më ka emëruar, sepse unë asgjë nuk di për këtë emërim”, shprehet Rogova.

Ai premton se në Kryesi të re, do të angazhohet që të mbrojë interesin e PDK-së.

“Unë do të mbrojë interesin e partisë, sepse gjithmonë kam qenë konstruktiv edhe pse qëndrimet e mia dikujt i kanë penguar”, tha Rogova. /albeu.com/
Shtuar më 09/05/2013, ora 18:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori