Policia “hap pas hapi”! Arrestohet 50-vjeçari që falsifikonte lejet e qëndrimit për emigrantët

Policia e Shtetit ka vënë në pranga shtetasin Nikolla Jesku në Pogradec.

Ky arrestim ka ardhur pas dy muajsh hetime nga policia pasi dyshohet dhe akuzohet falsifikim lejesh qëndrimi dhe lejesh kalimi për emigrantët.

“Jesku falsifikonte pasaporta, leje drejtimi, kartela punësimi, leje kalimi për në shtetet e huaja. Sekuestrohen dokumente të ndryshme dhe mjete të cilat përdoreshin nga ky shtetas, për falsifikimin e tyre…”- njofton policia.

NJOFTIMI I POLICISE:

Pogradec

Finalizohet operacioni policor “Emigranti”.

Operacioni pas një hetimi disa mujor, zhvilluar nga Komisaraiati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve.

Falsifikonte pasaporta, leje drejtimi, kartela punësimi, leje kalimi për në shtetet e huaja, vihet në pranga 1 shtetas.

Sekuestrohen dokumente të ndryshme dhe mjete të cilat përdoreshin nga ky shtetas, për falsifikimin e tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, pas një hetimi disa mujor për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të falsifikimit të dokumenteve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Emigranti”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit N. J., 49 vjeç, banues në Pogradec.

Në bazë të informacioneve të grumbulluara dhe veprimeve të kryera gjatë periudhës hetimore disa mujore, se një shtetas në banesën e tij në qytetin e Pogradecit, ushtronte veprimtarinë kriminale të falsifikimit të dokumentacioneve të ndryshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec ushtruan kontroll në banesën e tij, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

8 telefona celularë; 1 vulë universale e cila dyshohet se përdorej për falsifikim; 7 pasaporta të dyshuara si të falsifikuara me identitete të ndryshme, 1 dokument identifikimi grek, 8 certifikata familjare të shtetasve të ndryshëm, disa leje kalimi për në shtetin grek dhe italian me identitete të ndryshme personash; 105 leje kalimi të tjera të paplotësuara por të vulosura, 3 leje drejtimi shqiptare të dyshuara si të falsifikuara; kartela punësimi të vulosura dhe të nënshkruara.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i akteve të gjendjes civile”, “Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve”. /albeu.com/