“Ringjallja” bën propagandë fetare në shkolla
Shpërndarja e dhuratave të fundvitit nga Bashkësia Ungjillore “Ringjallja” për filloristët e dy shkollave të qytetit të Gjilanit, shkollën filloren “Abaz Ajeti” dhe në një shkollë tjetër të re, ende të paemërtuar, që është shoqëruar edhe me fletushka me përmbajtje fetare të krishterë, përveç që është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ligjet që sanksionojnë fushë-veprimtarinë e arsimit, është edhe keqpërdorim i misionit të kësaj bashkësie e që ndikon negativisht në prishjen e imazhit të raporteve të shkëlqyera ndërfetare në Kosovë, po edhe këtu në Gjilan, thuhet në një komunikatë të Zyrës së kryetarit të Komunës së Gjilanit.

Aktiviteti i fundjavës së kaluar i Bashkësisë Ungjillore “Ringjallja” i cili kishte edhe karakter fetar të krishterë ka shkaktuar reagime të kreut komunal të Gjilanit, të prindërve të këtyre nxënësve, Bashkësisë Islame në Gjilan si dhe opinionit të gjerë në këtë qytet.

Institucionet e komunës së Gjilanit këtë veprim e kanë cilësuar veprim të papranueshëm.

“Me gjithë instalimin e një klime të mirë në komunën e Gjilanit për depolitizimin e arsimit dhe evitimin e ndikimeve tjera, qofshin ato fetare apo të formave tjera kundërthënëse me ligjet ne fuqi dhe me edukimin në institucionet shkollore, aktiviteti i fundjavës së kaluar i “Ringjalljes”, natyrshëm ka shkaktuar reagime të prindërve të këtyre nxënësve dhe Bashkësisë Islame në Gjilan, reagime këto të drejta. Gjithsesi ky veprim i Bashkësisë Ungjillore “Ringjallja” për institucionet e komunës së Gjilanit është i papranueshëm dhe si i tillë dëmton përpjekjet tona serioze kundër propagandës fetare dhe ndikimeve tjera në procesin edukativo arsimor.

Jemi të obliguar ta sqarojmë për opinionin se me kërkesë të Bashkësisë Ungjillore “Ringjallja” për shpërndarjen e dhuratave për nxënësit e shkollave fillore në Gjilan, dhurata këto të fëmijëve nga Anglia, dedikuar fëmijëve në Kosovë, sipas drejtorit komunal të Arsimit, Bujar Nevzati, është lejuar të shpërndahen këto dhurata, fillimisht në shkollat “Abaz Ajeti” dhe atë në lagjen e tetë, e kurrsesi material tjetër propagandistik, në këtë rast fletushka me përmbajtje fetare.

Mirëpo, pas informacionit se bashkë me dhuratat (lodra, veshmbathje dhe mjetet shkollore) kjo organizatë po u shpërndan nxënësve edhe nga një fletushkë më përmbajtje fetare – krishtere, ka reaguar Drejtoria e Arsimit, duke ndaluar shpërndarjen e mëtejme të dhuratave në shkollat tjera në Gjilan.

"Prandaj, duke dashur që veprimet e tilla të jenë të fundit, i sigurojmë qytetarët tanë pa dallim, se ne jemi të vendosur që brenda shkollave, me asnjë kusht të mos lejojmë ndikime fetare, politike e të tjera që cenojnë procesin edukativ arsimor dhe bien ndesh me ligjet dhe kushtetutën e shtetit të Kosovës. Fundja, secili që me veprime e tilla përpiqet t’i sfidoj institucionet dhe ligjet e këtij vendi, do të përballet me drejtësinë", thuhet në reagimin e Komunës së Gjilanit.
Shtuar më 20/12/2011, ora 12:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori