Caktohet seanca për votimin e Qeverisë, flet Gashi

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është vendosur që seanca për votimin e qeverisë së re të mbahet nesër në ora 11:00, raporton Gazeta Express.

Kështu ka bërë të ditur para mediave, shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi.

Ai nuk ka komentuar nëse të gjithë deputetët e LDK’së do të votojnë pro kësaj qeverie, megjithatë, shton se i kanë votat që ju duhen.

“Sipas kërkesës së deputetëve nënshkruhet të udhëhequr nga grpi parlamentar, nesër mbahet seanca në ora 11:00. Mendoj që është e padinjitetshme që deputetët të konsiderohen si vota, nesër gjithsecili e kanë mundësinë që të japin vlerësimin e vet përmes diskutimit pastaj përmes votës. I kemi votat, të gjitha janë përmbyllë”, tha ai.

Gashi nuk ka folur, i pyetur për deklarimin e deputetit të Nismës, Haxhi Shalës që nuk do të votojë pro qeverisë Hoti.

“Pyetne z.Limaj nuk është çështje imja, është çështje e brendshme, nuk kam dilema. Nuk e kam atë problem dhe nuk merrem me atë çështje.

Ka seancë jemi të sigurtë që e kemi thirrë, secili deputet mbi bazën e bindjes vetë voton, a janë 60 a 70 vendoset nesër”, tha ai.

I pyetur se a kanë diskutuar për kryeparlamentaren Vjosa Osmanin, si dhe nëse ajo do të udhëheq seancën, Gashi ka thënë se për këtë temë vendos ajo vetë.

“Është cështje procedurale, zonja Osmani është kryetare e Kuvendit vendos vetë a don me udhëheq një seancë a jo, nëse ka kohë”, shtoi ai.

Shefi i deputetëve të LDK’së tha se të gjitha marrëveshjet e koalicionit do t’i publikojë kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti.

“Marrëveshjet do t’i publikoj z.Hoti, është çështje e z.Hoti”, ka thënë ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar dje në Kuvend kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të votohet qeveria në krye me Avdullah Hotin.

Kjo pasi që Gjykata Kushtetuese vendosi se dekreti i presidentit për mandatarin nuk e ka shkelur Kushtetutën.

Sot gjatë ditës ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës do të publikojë emrat e ministrave. Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa ka thirrur mbledhje të kryesisë për në ora 16:30.


Shtuar 2.06.2020 09:45