Dy policët e arrestuar nga Serbia dy ditë më parë, i janë dorëzuar forcave të misionit EULEX. Lajmi raportohet nga mediat kosovare ndërsa është konfirmuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi. Edhe më herët ishte njoftuar se një gjykatë në Serbi kishte
vendosur lirimin e dy policëve të arrestuar 48 orë më parë në Merdarë, në kufirin me Serbinë.
Shukri Binaku dhe Sami Beqiri u arrestuan të shtunën në mëngjes, teksa po patrullonin në fshatin Dumnicë të komunës së Podujevës. Ngjarja u paraqit me shumë bujë në Serbi ndërsa hasi në reagimin e ashpër të Prishtinës zyrtare, por jo vetëm.
Të hënën, skadonte edhe masa e ndalimit prej 48 orëve që policia e Serbisë kishte
vendosur ndaj dy policëve kosovarë, ndërsa EULEX-i dhe KFOR-i
kishin konfirmuar hetimin e çështjes. Ndalimi i policëve të patrullës kufitare, Sami Beqiri dhe Shukri Binaku përbën incidentin më të rëndë ndërkufitar deri më tani, që kur KFOR-i ka filluar të transferojë përgjegjësitë për vijën e gjelbër pesë-kilometërshe tek autoritetet vendore.
Qeveria e Kosovës shpresonte që përmes presionit të faktorit ndërkombëtar, Beogradi t`i lironte dy policët e saj. Pas arrestimit të policëve, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, kishte deklaruar se ata
kishin shkelur zonën e gjelbër, pra
kishin shkelur Marrëveshjen ushtarako - teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO-ja më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe. /albeu.com/
Shtuar më 02/04/2012,
ora 14:00