Rëndësia e sektorit privat
nga Sefer Zogaj - Kosova e cila organizon ekonominë përmes ekonomisë së tregut të lirë ka objektivë primare zhvillimin ekonomik. Aktualisht ndodhemi në tranzicion dhe sfidat e shtet-formimit janë të mëdha dhe evidente duke pasur parasysh rrethanat në cilat kemi kaluar. Zhvillimi ekonomik është pretenduar të jetë prioritet i të gjithë qeverive të pasluftes në Kosovë. Është shënuar një rritje e lehtë ekonomike rreth 3 %, mirëpo nuk është e mjaftushme duke pasur parasysh kërkesat për vende pune dhe për mirëqenje më të mirë sociale.

Gjatë viteve të fundit kemi pasur një rritje të pagave për punëtoret e sektorit publik, kjo ka ndikuar në rritjen e mirëqenjes sociale te këto kategori, por në anën tjeter është diferencuar paga në mes sektorit publik dhe atij privat dhe çdo inflacion ka dëmtuar punëtoret e sektorit privat të cilet nuk kanë pasur rritje të pagave nga pronaret e tyre, dhe qytetaret e papunësuar që në Kosovë llogariten të jenë mbi 30 %. Statistika nuk mund të jetë edhe shumë reale pasi që ekonomia joformale në Kosovë është shumë prezente, shumë qytetarë që punojnë pa kontrata marrin paga dhe llogariten të papunësuar kështu është edhe rregulli, esenca qëndron ata përmbushin nevojat e tyre minimale, për këtë arsyje duhet të jemi të përkushtuar në luftimin e ekonomisë joformale.

Shkalla e papunësisë në Kosovë është shqetësuese, edhe sikur të jetë më pak së 30 % prapë është e lartë. Duke pasur parasysh që në Kosovë proklamohet ekonomia e tregut të lirë dhe deri në një pikë ekonomia është e orientuar kah kapitalizmi atëherë sigurisht që shtetit nuk i lejohet 'ndërtimi i fabrikave" siç kërkohet dhe siç është vepruar në republikat socialiste. Duhet përdorur alternativa tjera strategjike si të zbutet papunësia në Kosovë dhe zhvillimi i sektorit privat është mënyra më e mirë si funksionon një ekonomi e tregut.

Në Kosovë, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2014 janë rregjistruar 2175 biznese,dhe kjo shënon rritje në krahasim me tremujorin paraprak diku pranë 13.3 %. Strategjia e zhvillimit të sektorit privat duhet të krijohet mbi përmisimin e kushteteve të të bërit biznes, në rast të rritjes së numrit të bizneseve do të kishte ndikime pozitive.

1) Krijimi i një konkurrence të vërtet
2) Ulje e çmimeve në treg për shkak të konkurrences dhe kjo shkon në të mirë të konsumatorëve
3) Rritja e tatimpagueseve nga bizneset, pasi se 67 % e tatimpagueseve janë biznese derisa 33 % janë konsumatorë
4) Rritja e buxhetit financiar përmes të cilave do të kishte investime kapitale në projekte të përbashkta publike
5) Ulje e papunësisë
6) Rritje e cilësisë së produkteve për shkak të konkurrences në treg.

Por, në Kosovë ende mungojnë kushtet e mira të të bërit bizmes. Burokracia, korrupsioni dhe haraçi i kërkuar, dhe mungesa e burimeve financiare. Tek financat shumë biznese orientohen kah bankat për të marrë kredi aty ku norma e interesit është shumë e lartë. Sa i përket kamates në bankat tona kemi pasur shumë debate publike në Kosovë rreth asaj që a duhet të ulet norma e interesit apo jo? Përsonat që pretendojnë në uljen e kamatës e justifikojnë mendimin e tyre me faktin se po pengohet vullneti i qytetarëve për të bërë biznes pasi që ekziston fobia nga falimentimi, derisa mendimtarët që pretendojnë që nuk duhet të ulet kamata e justifikojnë mendimin e tyre mbi parime juridike përkatësisht Nenit 10 të Kushtetutes së Republikës së Kosovës e definon ekonominë si ekonomi e tregut, dhe parimi i ekonomisë së lirë është vendosja e çmimit nga vetë ndërmarrja, jo çmim i imponuar nga shteti siç ndodhë në ekonomitë e centralizuara. Neni 11 paragrafi nr.2 thotë: “Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës është i pavarur dhe quhet Banka Qendrore e Republikës së Kosovës”
Në realitet kamata është shumë e lartë dhe e papërballueshme për shumë qytetarë sidomos kur kemi të bëjmë me gjendje të rëndë social-ekonomike në vend. Rritja e numrit të bizneseve ndikon mirë në shumë segmente në shoqëri.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori Të fundit të vitit 2014 ishin: tregtia me 648 ndërmarrje të reja (29.8%), akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 222 (10.2%), prodhim me 216 (9.9%), bujqësi, pylltari dhe peshkatari me 168 (7.7%), ndërtimtaria me 166 (7.6%), aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 148 (6.8%), transport dhe ruajtje me 143 (6.5%), aktivitete të shërbimeve tjera me 120 (5.5%), informacion dhe komunikim me 80 ndërmarrje (3.7%), ndërsa aktivitetet tjera marrin pjesë në shkallë shumë të vogël.

Kategoria e numrit të punësuarve nga 1-4 përbën rreth 2118 ndërmarrje apo 97.4% të ndërmarrjeve të reja, kategoria me 5-9 me 35 (1.6%), 10-19 me 17 (0.8%), 20-49 me 4 ndërmarrje (0.2%), tek kategoria me 250+, kemi vetëm një ndërmarrje, ndërsa në kategoritë tjera nuk është asnjë ndërmarrje e regjistruar në këtë tremujorin e fundit të vitit 2014

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të reja në nivel të komunave ashtu si në çdo tremujor mbizotëron Prishtina me 564 ndërmarrje të reja (shprehur në përqindje 25.9%), Prizreni me 181 (8.3%), Ferizaj me nga 152 (7.0%), Peja me 133 (6.1%), Gjilani me 124 (5.7%), Fushë Kosova me 87 (4.0%), Mitrovica dhe Gjakova të dyja me nga 79 (3.6%), ndërsa komunat tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij tremujori. (marrë nga Agjencia e statistikave të Kosovës ASK )

Rritja e pagave në sektorin privat
Në momentin kur kemi rritje të pagave për punëtoret e sektorit publik, atëherë logjikisht rritet kërkesa për produkte, kur kemi rritje të kërkesave kemi të hyra më të mëdha financiare tek bizneset dhe ketu pronaret e bizneseve duhet reflektuar për rritje të pagave për punëtoret e tyre. Por, kjo në Kosovë ndodh vetëm në raste specifike. Edhe pse proklamohet ekonomia e tregut të lirë në raste specifike duhet të ndërhy shteti pasi që në te kunderten pagat për sektorin privat do të mbesin të vogla. Në momentin kur kemi ulje të shumes tatimore atëhërë edhe bizneset duhet të obligohen për të bërë rritje të pagave pasi që shteti nuk ka të drejtë të menaxhojë strukturën e brendshme menaxhuese të bizneseve.

Investimet ndërkombëtare në Kosovë zhvillojnë sektorin privat
Në Kosovë në vitin 2008 investimet e huaja kanë qenë 355 milion euro, në vitet e fundit ka një rënie të investitorëve ndërkombëtarë. Investimet ndërkombëtare do të ndikonin në rritjen e bizneseve dhe përmes biznseve do te ishin arritur të mirat e lartpërmendura. Për të tërhequr investimet e huaja duhet të luftohen fillimisht korrupsioni dhe haraci në Kosovë, pastaj burokacia duhet të lehtësohet deri aty sa është e mundur, nuk duhet të diskriminohen investitoret mbi baza të etnisë, fesë dhe racës
Kosova, duhet t'a ketë prioritet zhvillimin e sektorit privat përmes përdorimit të strategjive efektive, një politik e mirëfilltë do të ndikonte pozitivisht në përmisimin e kushtetve të punëtorëve, të drejtave të tyre, rritjes së pagave etj. Si dhe luftimin e ekonomisë joformae, pasi së çdo punëtor duhet të ketë kontratën e punës dhe çdo biznes ka obligim të paguaj tatim. Zhvillimi i sektorit privat d.m.th zhvillim i ekonomisë nacionale. Zhvillimi i ekonomisë nacionale rezulton në zhvillimin e Republikës së Kosovës në përgjithësi.
Shtuar më 25/04/2015, ora 14:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori