Reagon Vetevendosje: Shqiptarët po lihen në mëshirë të xhandarëve serbë
Pëlqej
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ku një shqiptar humbi jetën, një u plagos, por se edhe një polic serb u vra.

VV-ja vlerëson se ngjarjet tragjike të ndodhura gjatë ditës së sotme në Koshtovë, Mitrovicë dhe ato të 27 gushtit në Dumnicë, Besianë, por të bëra publike dje në opinionin publik, janë padyshim pasojë e moszgjidhjes së demarkacionit të kufijve me Serbinë.

Ky subjekt politik shton se derisa demarkacioni nuk zbatohet qytetarët e Kosovës do të vijojnë të jenë "pre" e xhandarëve serbë në kufi.

"Gjatë vitit 2011, Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kuvend dhe në debatet publike me çdo mjet ka këmbëngulur se para çfarëdo hapi në raport me lëvizjen e lirë midis Kosovës dhe Serbisë apo masat e tjera në raport me kufijtë veriorë të Kosovës, është i domosdoshëm demarkacioni i kufirit me Serbinë. Për gjithë këto vite, qeveritarët e Kosovës nuk kanë mundur që të krijojnë as sigurinë minimale për këto zona, duke i lënë qytetarët tanë në mëshirë të xhandarëve të Serbisë. Ku shpesh banorët janë qëlluar më armë duke mbetur të plagosur e jo rrallë edhe të vrarë, siç ndodhi me dy viktimat më të fundit", thuhet në reagim.

Sipas Vetëvendosjes, kjo çështje dhe të tjerat që kanë mbetur plotësisht të pazgjidhura dhe të paadresuara, e ka lënë politikisht vulnerabël Kosovën përballë organizmave ndërkombëtarë në raport me akuzat e padrejta të Serbisë për incidente tragjike të cilat i prodhon ajo vetë, ata që bashkëpunojnë me të, apo ata që iu intereson situata e tensionuar në Kosovë. /albeu.com/
Shtuar më 29/08/2014, ora 16:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori