Reagojnë veteranët e UÇK-së: Ne s'kemi prerë koka
Pëlqej
Deklaratat e Lavdrim Muhaxheri dhënë mediave nga Shqipëria se edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë prerje kokash, ka nxitur reagimin e menjëhershëm të përfaqësueseve të këtyre të fundit. Organizatat e dala nga lufta kanë shprehur qëndrimin e tyre se, UÇK-ja nuk ka bërë diçka të tillë dhe se lufta e saj ka qenë e pastër.

Kryetari i Shoqatës se Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari në një prononcim për Indeksonline i është kundërpërgjigjur anëtarit të ISIS-it, Lavdrim Muhaxherit, duke e quajtur banale deklaratën e tij.

Sipas tij, Lavdrimi është munduar të njollos luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me krimin që e ka bërë vetë ai ndaj një personi.

“Kjo është në radhë të parë një deklaratë banale e një individi i cili mundohet të njollos luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me krimin që e ka bërë vetë ai ndaj një personi. Siç dihet botërisht, lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe është vlerësuar me dokumente relevante ndërkombëtare se është njëra prej luftërave më të drejta. Unë i them këtij zotërisë (Lavdrim Muhaxherit) që luftëtarët e lirisë dhe lufta e UÇK-së kanë luftuar kundër atyre të cilët kanë bërë veprime të tilla, ndaj popullit shqiptar e që ka qenë shteti dhe pushteti serb.

Lufta e UÇK-së nuk është marr me individ e me civil mirëpo ajo ka luftuar kundër pushtuesit, kundër forcave të policisë dhe ushtrisë serbe dhe për atë të gjithë luftërat të cilat quhen “lufta çlirimtare” janë lufta të drejta dhe të pasura.

Mendoj se është turp të nxirret një deklaratë e tillë për luftën e shenjtë të popullit shqiptarë në përgjithësi dhe besoj se lufta e UÇK-së është nderi dhe krenari e gjithë kombit shqiptar pasi që ka luftuar ndaj një pushtuesi më barbar dhe më të egër”, ka thënë Jashari.

Përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së ka apeluar organet e drejtësisë që të parandalohen personat që nuk ia donë të mirën vendit.

Mendoj se jo vetëm duhet reaguar por mendoj se organet e drejtësisë duhet të merren seriozisht dhe të japin dënimin meritor personave të tillë të cilët bëjnë veprime kundër njerëzve pa marrë parasysh ku. Dhe mendoj që veprimet e tilla të individëve dëmtojnë imazhin rëndë të popullit shqiptarë në përgjithësi të Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë”, është shprehur në fund Xhavit Jashari. /albeu.com/
Shtuar më 02/08/2014, ora 14:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori