Ratel: Të konfiskohet klinika "Medicus"
Ndonëse urologu Lutfi Dervishi është dënuar me tetë vite burg për shkak se ka drejtuar klinikën "Medicus" ku janë blerë dhe shitur veshka në mënyrë ilegale, kjo nuk e ka kënaqur aspak prokurorin e rastit Jonathan Ratel.

Ky i fundit ka paraqitur kërkesën për konfiskimin e objektit të klinikës "Medicus", pasi sipas tij aty janë kryer vepra penale.

Por në zhvillim e sipër të procesit ndaj këtij rasti dhe pak para shpalljes së dënimit ndaj pesë të akuzuarve, në Gjykatën Themelore është kuptuar se Dervishi si pronar i këtij objekti e ka bërë shitjen e kësaj pasurie. Dervishi pretendon se pronën e ka shitur sipas procedurave ligjore dhe të njëjtën gjë e ka thënë në gjykatë, shkruan “Zëri”.

Por prokurori Ratel kërkesën për konfiskimin e kësaj prone e ka paraqitur edhe të mërkurën në një seancë të veçantë për këtë çështje të mbajtur në objektin e Gjykatës së Apelit. Kërkesën e prokurorit dhe kundërshtimin e mbrojtjes dhe të vetë të akuzuarit Lutfi Dervishi pritet që ta analizojë trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Arkadio Sedek. Ky i fundit edhe do të marrë vendim në lidhje me kërkesën e prokurorit.

Lutfi Dervishi si mjek dhe pronar i klinikës private “Medikus” është dënuar bashkë me djalin e tij për veprën penale të trafikimit me qenie njerëzore dhe atë të krimit të organizuar. Pos këtyre dy veprave, Lutfi Dervishi është dënuar edhe për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor. /albeu.com/
Shtuar më 13/06/2013, ora 12:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori