Të dhënat e manipuluara s’mund ta fshehin të vërtetën:Ekonomia ruse po shkon drejt kolapsit

Nga Diane Francis “Kyiv Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Përplasja midis Rusisë dhe Ukrainës është shkatërruese për të dyja palët: Ukraina po shndërrohet në gërmadha dhe po mbijeton vetëm falë mbështetjes së Perëndimit, ndërsa po përpiqet me guxim që të dëbojë rusët nga territori i saj. Por edhe Rusia po rrënohet ekonomikisht.

Një e treta e rusëve jetojnë në një varfëri të tmerrshme dhe lufta e Putinit, që supozohej të zgjaste vetëm ditë, ka masakruar deri tani 200.000 ose më shumë rekrutë, kryesisht të rinj, të përdorur si mish për top nga gjeneralë të paaftë. Ekonomia e Rusisë po vuan, edhe pse më 14 mars Putin u mburr publikisht se “sovraniteti i saj ekonomik” është më i fortë se kurrë, sepse kanë dështuar sipas tij sanksionet perëndimore.

Ai pretendoi se papunësia ishte e ulët dhe se PBB-ja e Rusisë do të rritet këtë vit me 1.2 për qind, pra më shumë se disa nga armiqtë e tij. Por ai gënjeu. Rusia do të pësojë një kolaps të frikshëm dhe është arsyeja pse Perëndimi duhet të dyfishojë ndihmën ekonomike dhe ushtarake ndaj Ukrainës për të ndalur sa më shpejt çmendurinë e Putinit.

Putini do të donte që bota ta besonte se ekonomia e tij dhe perspektivat e saj janë përmirësuar, një pohim po aq i “saktë” sa përshkrimi prej tij i luftës së tij gjenocidale si një “ “operacion special ushtarak”. Mburrjet e Putinit synojnë të dekurajojnë Perëndimin dhe ta dobësojnë vendosmërinë e tij.

Shefi i Kremlinit nuk mund ta pranojë se kufijtë e vendosur së fundmi mbi çmimet e naftës ruse po provojnë të jenë “bomba me neutrone” e sanksioneve perëndimore dhe se kjo masë po pakëson ndjeshëm të ardhurat. Putin pretendon se vendi po përparon dhe se institucionet e tij financiare të korruptuara i vërtetojnë këto gënjeshtra duke nxjerrë të dhëna jo të besueshme.

Mjerisht, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe të tjerët riciklojnë shifrat e servirura prej tij, sepse Rusia ndaloi së ofruari informacione kryesore ekonomike që nga fillimi i luftës, dhe këtu përfshihen shifrat mbi tregtinë e jashtme, të buxhetit të shtetit, të prodhimit të energjisë, bilancet e kompanive shtetërore, fitimet e bankave dhe shifrat e e emigracionit.

Por fatmirësisht është arritur të zbulohen disa shifra. Ajo që dihet është se Rusisë i ka mbetur rreth 250 miliardë dollarë kapital, ose vetëm 14 për qind të PBB-së së saj. Një ekspert thotë se ekonomia e Rusisë u tkurrur vitin e kaluar, nga një madhësi krahasuar me atë të Italisë duke mbërritur atë të Kilit vitin e kaluar. Dhe këtë nuk do ta mësoni bazuar tek shifra e rreme të dhëna në media nga Moska.

Ekonomisti Janis Kluge i Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) llogarit se vetëm sanksionet perëndimore “e kanë tkurrur me 10 për qind ekonominë e Rusisë”, një dëm më i madh se ai i shkaktuar nga kriza financiare globale e 2009-ës.

Po ashtu dihet se menjëherë pas pushtimit të Ukrainës, rreth 3.8 milionë rusë u larguan nga vendi sipas të dhënave zyrtare të publikuara në mesin e vitit të kaluar nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB).

Në fillim të vitit 2022, pati tre valë largimesh, duke përfshirë familjet e klasës së mesme, kundërshtarët politikë, shmangësit e mobilizimit ushtarak, milionerët, ekspertët e IT apo punonjës të tjerë shumë të kualifikuar. Nuk dihet numri i atyre që kanë mbetur në mërgim. Por edhe nëse do të riktheheshin shumica e tyre, vendi pësoi një tjetër eksod në gati 1 milionë rusë pas mobilizimit ushtarak të shpallur nga Putin në shtator 2022.

Këto dy emigrime masive kanë krijuar një të çarë tjetër në ekonominë ruse. Në fjalimin e fundit televiziv Putin foli për situatën e papunësisë. Të dhënat zyrtare përfshijnë 4.66 milionë “të papunë të fshehur” të cilët janë pushuar nga puna në sektorët e prodhimit dhe shitjes me pakicë, që janë lënë në shtëpi pa pagesë apo që janë punësuar me kohë të pjesshme, sipas kompanisë së pavarur konsulente me seli në Serbi, FinExpertiza.

Rusia po shkon drejt një kolapsi ekonomik për shkak të kufizimeve të çmimeve të vendosura kohët e fundit nga G7 mbi eksportet e naftës dhe karburantit dizel. Ato zëvendësuan sanksionet e energjisë në fillim të luftës, të cilat ishin kundër-produktive, sepse shkaktuan rritje të çmimeve të naftës dhe sollën fitime të papritura për Rusinë gjatë vitit të kaluar.

Por nga tani e tutje, kufijtë mbi çmimet, së bashku me kalimin e Evropës nga gazi natyror rus tek furnizuesit e tjerë, do të shkaktojnë një katastrofë për ekonominë ruse. Në vitin 2022, ushtria ruse kushtonte 300 milionë dollarë në ditë dhe Moska grumbullonte 800 milionë dollarë në ditë nga eksportet e energjisë.

Që nga fillimi i kufizimit të çmimit, të ardhurat kanë rënë në vetëm 200 milionë dollarë në ditë. Sipas Oilprice.com. vetëm në janar, muaji i parë i plotë i kufizimeve të çmimit të naftës ruse, të ardhurat shtetërore të Rusisë ranë me 46.4 për qind ndërsa deficiti i saj buxhetor u rrit me 24.6 miliardë dollarë.

Në shkurt, të ardhurat e Rusisë nga eksporti i naftës ranë në nivelin më të ulët në më shumë se një vit, pasi blerësit kryesisht respektuan kufijtë e çmimeve dhe sanksionet. Për më tepër çdo dërgesë do t’i kushtojë jo pak para Rusisë. Kostoja e prodhimit të saj është të paktën 45 dollarë për fuçi ndërsa ajo e dërgesës për në Indi apo Kinë, aktualisht blerësit e saj më të mëdhenj, kushtojnë deri në 12 dollarë për fuçi, sepse duhen javë të tëra për të dërguar naftën me maune.

Pastaj janë edhe shpenzimet për kompanitë e sigurimit. Me një çmim maksimal prej 60 dollarësh për fuçi, Rusia nuk arkëton asnjë fitim dhe India që kërkon ulje paguan shpesh më pak se 60 dollarë. Lufta e Putinit e ka shkatërruar tregtinë ruse të energjisë: Evropa është shkëputur përgjithmonë nga gazi natyror rus, ndërsa Rusia nuk ka gazsjellës që mund ta lidhin me një kosto të ulët me klientët e saj të mëdhenj në Azi.

Në terma afatshkurtër, ekonomia ruse do të shënojë rënie, të shkaktuara nga mungesat buxhetore, zhvlerësimi i rublës, tkurrja ekonomike dhe dalja e sasive të tjera të kapitalit.

Në planin afatgjatë, eksportet e Rusisë do të zvogëlohen së bashku me rublën, duke bërë që importet të zvogëlohen dhe ta ndalin plotësisht prodhimin vendas.

Tashmë, kompanitë që përfaqësojnë 40 për qind të PBB-së së saj e kanë ndërprerë aktivitetin, tregjet e saj financiare janë në krizë, dhe Rusia nuk mund të tërheqë investime të huaja. Ajo nuk është një ekonomi që po ecën mirë, por një ekonomi që po përpëlitet dhe po shkon drejt shkatërrimit të plotë.

“Rusia ndodhet në një pikë kthese. Të dhënat e rreme riciklohen. Çdo sektor industrial është në rënie, shitja me pakicë po ashtu, teksa po humbet 500 milionë dollarë në ditë nga eksportet e energjisë. Vlera e rublës është një tjetër e dhënë e rreme. “Rubla nuk është një monedhë që shkëmbehet dhe për të nuk ka as një treg të zi”- tha profesori i Universitetit të Jeil në SHBA, Jeffrey Sonnenfeld, në një intervistë dhënë kohët e fundit për rrjetin televiziv gjerman Deutsche Welle.

Prandaj është koha që çmimi tavan mbi naftën të ulet më tej në 50 dollarë. Ndërkohë Qindra miliarda në asetet ruse të ngrira në bankat qendrore të vendeve të tjera, duhet të konfiskohen menjëherë dhe të caktohen për të paguar ndihmës ushtarake të Ukrainës dhe rindërtimin e saj pas luftës.

Argumentet që jepen nga rusët dhe mbështetësit e tyre se kjo përbën vjedhje dhe shfuqizimin e imunitetit sovran dhe të drejtave pronësore duhet të hidhen poshtë. Rusia e ka humbur të drejtën për çdo lloj mbrojtje ligjore. Ajo duhet të mposhtet ekonomikisht, po ashtu edhe në fushën e betejës. Dhe pavarësisht se çfarë thotë në publik Putini fundi i saj është i afërt. /albeu.com


Shtuar 21.03.2023 12:01