Raportuesi i KE-së vizitoi veriun
Raportuesi për Kosovën në Këshillin e Evropës, Bjorn von Sydow, gjatë qëndrimit të mërkurën në pjesën veriore të Mitrovicës vlerësoi konstruktive bisedimet me kryetarët ilegalë të komunave të veriut të vendit.

Ai tha se është diskutuar për shumë çështje dhe se këto bisedime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Kam ardhur të njoftohem nga afër me gjendjen e të drejtave të njeriut, fillimin e funksionimit të gjykatave në veri, çështjen e doganave, kthimin e të zhvendosurve në vatrat e tyre dhe çështje tjera të rëndësishme për qytetarët, në mënyrë që nga mesi i nëntorit të raportoj në Këshillin e Evropës”, tha para gazetarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, Sydow.

Nga ana tjetër, kryetari komunës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës, Krstimir Pantic, tha se ai me kolegët i ka thënë raportuesit për Kosovën se krizën e tashme në veri e kanë shkaktuar shqiptarët dhe institucionet kosovare në Prishtinë me veprimet e tyre të njëanshme.

Ai tha se tani është nevoja që kjo krizë të zgjidhet me rrugë paqësore, në mënyrë që shqiptarët, serbët, dhe shteti i Serbisë të jenë të kënaqur. Në takim potencuam se nuk është mirë që zgjidhjet të imponohen, por që ato të jenë të pranueshme për të gjithë, ka thënë Pantic.

Sydow të mërkurën është pritur edhe nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga, e cila e njoftoi atë me zhvillimet në vend dhe ndër të tjera tha se mosmarrëveshjet në rajonin e Ballkanit duhet të zgjidhen përmes dialogut, respektimit të ndërsjellë dhe respektimit të integritetit territorial të secilit vend.
Shtuar më 02/11/2011, ora 20:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori