Raporti i progresit: Problem krimi i organizuar
Pëlqej
Komisioni Evropian në raportin e Progresit për Kosovën thekson se ka gjetur përparim të kufizuar në shumë fusha, ndërsa ka shprehur shqetësim për dukuritë, të cilat vazhdojnë të jenë problematike si krimi i organizuar, shpëlarja e parave, korrupsioni, politizimi i gjyqësorit dhe mungesa e lirisë së medieve.

Të gjitha këto janë përfshirë në raportin vjetor, që të martën më 9 nëntor në Bruksel do ta miratojë Komisioni Evropian, shkruan e përditshmja "Koha Ditore".

Korrupsioni në Kosovë është i përhapur dhe mbetet një problem shumë serioz”, thuhet në raport. Raporti përmend rastet e hetimeve nga ana e EULEX-it në Ministrinë e Transportit dhe se Policia e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in kishin arrestuar guvernatorin e Bankës Qendrore. Më tej thuhet se Qeveria ka bashkëpunuar në këto hetime.

Kosova kritikohet edhe për progres të pamjaftueshëm në luftë kundër trafikimit të drogës, ku, me gjithë disa rezultate pozitive në nisjen e hetimeve, numri i rasteve të konfiskimeve dhe i dënimeve ka mbetur shumë i vogël.

Komisioni shpreh shqetësim edhe për problemin e shpëlarjes së parave në Kosovë.

“Financimi i partive politike nuk është në përputhje të plotë me standardet e BE-së. Fushat për shqetësim të madh mbeten prokurimi publik, gjyqësori dhe sistemi i zbatimit të ligjit”, thuhet në raport.

Kritikat ndoshta edhe më të mëdha për Kosovën janë në fushën e lirisë së medieve.

Komisioni thotë se Kosova ka shënuar përparim në integrimin e pakicave, por shton se puna edhe këtu duhet të vazhdojë. (albeu.com)

Për vizat kësaj radhe nuk thuhet asgjë konkrete.
Shtuar më 05/11/2010, ora 11:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori