Raporti i BE: Kosova, zonë krimi e korrupsioni
Një pasqyrë e përzier me evidentimin e disa përmirësimeve, por me shumë pika të zeza. Edhe raport progresi i këtij viti për Kosovën, paraqet probleme të shumta. Ai do të bëhet publik në takimin e rregullt më 16 tetor në Bruksel.

“Koha Ditore” ka siguruar kopjen e draftit të këtij raporti për Kosovën dhe në rreth 50 faqe, ai paraqet arritjet nga vjeshta e vitit të shkuar e deri më sot. Kosova, siç thuhet në këtë raport, ka bërë përparime kryesisht në përpilimin e ligjeve, në vendosjen e disa kapaciteteve të nevojshme për të zbatuar politikat që dalin si përgjegjësi edhe nga procesi i integrimeve evropiane.

Por në anën tjetër edhe kësaj radhe janë identifikuar probleme serioze dhe çështje, të cilat vazhdojnë të shqetësojnë BE-në. Lufta jo e duhur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, problemi i trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimi i drogës, konflikti i interesit, mangësitë dhe dyshimet për korrupsion në prokurimin publik, ndikimi politik në gjyqësor dhe në shërbimin civil, hezitimi për të hetuar disa raste, janë vetëm disa nga pikat shqetësuese edhe në këtë raport.

Raporti nënvizon edhe mungesën e tolerancës në disa raste, sidomos kundër grupeve LGBT dhe madje ka shënuar edhe rastin se si një “lëvizje fetare, e cila propagandon gjuhën e urrejtjes ndaj komunitetit LGBT përmes mediave konvencionale dhe sociale është regjistruar si parti politike”,-shkruan sot “Koha Ditore”. /albeu.com/
Shtuar më 10/10/2013, ora 13:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori