Raporti final për përmbushjen e 8 kritereve gati me 15 janar
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka mbledhur sot përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri më 15 janar do të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian.

Gjithashtu përfaqësuesit i raportuan kryeministrit lidhur me progresin e arritur për përmbushjen e këtyre rekomandimeve dhe u konstatua njëzëri se është shënuar progres maksimal në përmbushjen e shtatë nga tetë pikat e rekomanduara nga Komisioni Evropian.

Në takim u konstatua se ka mbetur ende e pazgjidhur çështja e objektit të Avokatit të Popullit, si rezultat i mos zhvendosjes së Gjykatës Kushtetuese në Pallatin e Drejtësisë, ashtu siç ishte paraparë me vendim të Qeverisë dhe të konfirmuar me letërkëmbimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri më 15 janar do të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që më pas rezultatet konkrete t'i raportohen institucioneve relevante të BE-së.

Ndërkohë kryeministri Mustafa vlerësoi përkushtimin dhe falënderoi institucionet përkatëse si dhe të gjithë qytetarët e vendit, për kontributin e tyre në avancimin e rrugës integruese evropiane, duke rikonfirmuar angazhimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar maksimalisht në realizimin e plotë dhe sa më të shpejtë të aspiratave eurointegruese. /albeu.com/


Shtuar më 11/01/2016, ora 12:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori