Aktiviteti i bizneseve në Eurozonë pëson rënie më të shpejtë nga ç’pritej

Indeksi PMI për muajin tetor tregon rënien më të madhe të dy viteve të fundit dhe shton shenjat se rajoni po shkon drejt një recesioni.

Aktiviteti i bizneseve në Eurozonë ka pësuar rënien më të madhe në gati dy vite, duke theksuar kështu shenjat se blloku po shkon drejt recesionit për shkak të rritjes së çmimeve dhe rënies së aktivitetit nga kompanitë e prodhimit dhe të shërbimeve.

Indeksi i përbërë S&P Global i menaxherëve të blerjeve në Eurozonë, një matës kryesor i kushteve të biznesit, ra me 1 pikë duke shkuar në 47.1, sipas shifrave të publikuara sot. Ky është niveli më i ulët i arritur që nga nëntori i vitit 2020, si dhe muaji i katërt radhazi që ky indeks qëndron nën kufirin vendimtar prej 50 që ndan rritjen e aktivitetit nga rënia e tij.

“Ekonomia e Eurozonës duket se do të bjerë në tremujorin e katërt, duke pasur parasysh reduktimin e prodhimit dhe përkeqësimin e kërkesës që po shihet në muajin tetor, duke shtuar kështu spekulimet se recesioni po duket gjithnjë e më i pashmangshëm”, tha Chris Williamson, kryeekonomist për bizneset në S&P Global.

Rezultatet e këtij sondazhi të përmuajshëm, i cili tregoi rënien e prodhimit të fabrikave, reduktimin e porosive të reja, rritjen e çmimeve të produkteve dhe përkeqësimin e pritshmërive, ishin më keq sesa pritshmëritë e ekonomistëve të anketuar nga Reuters.

Prodhuesit raportuan rënie të pestë radhazi në prodhimin e fabrikave, duke nënvizuar sfidat që rëndojnë mbi ekonominë e eurozonës, ndërsa kompanitë e shërbimeve thanë se porositë e reja janë reduktuar me një ritëm më të shpejtë pasi konsumatorët po përballen me rritjen e kostove të energjisë dhe të ushqimit, të cilat sollën rënien e shpenzimeve të tyre.

Kompanitë në të gjithë sektorët raportuan se presionet e kostove kanë pësuar një rënie të lehtë, por çmimet e mallrave dhe të shërbimeve po rriteshin me një normë që, sipas S&P, është norma e gjashtë më e shpejtë që nga fillimi i matjes së këtyre të dhënave në vitin 2002.

Kufizimet në zinxhirët e furnizimeve pësuan disa lehtësime pasi furnizimet e lëndëve të para kryesore u përmirësuan. Rritja e vendeve të punës pati një rritje të lehtë përgjatë muajit tetor, por ajo mbetet e ulët krahasuar me 18 muajt e fundit.

Aktiviteti i bizneseve gjermane pati rënie si në sektorin e prodhimit, ashtu edhe në atë të shërbimeve, duke sjellë kështu rënien e PMI-së së këtij vendi me 1.6 pikë, duke e çuar atë në 44.1 pikë, niveli më i ulët që nga maji i vitit 2020.

“Presionet e larta të çmimeve, rritja e normave të interesit dhe shtimi i hezitimit të konsumatorëve për shkak të frikës nga një recesioni, të gjithë këta faktorë ndikuan në reduktimin e kërkesës,” tha S&P.

Kompanitë franceze raportuan një stanjacion të aktivitetit, pasi zgjerimi i aktivitetit në sektorin e shërbimeve kompensoi rënien e aktivitetit në sektorin e prodhimit. PMI u ul me 1.2 pikë, duke shkuar në 50, niveli më i ulët në 19 muajt e fundit.

Porositë për fabrikat pësuan një rënie me një ritëm shumë të shpejtë, të cilit mund t’ia kalojnë vetëm ai i krizës financiare të vitit 2008 dhe ritmi i krizës së borxhit të eurozonës në vitin 2012. / Financial Times


Shtuar 25.10.2022 07:03