Zyrtari flet për 11-vjeçaren e përdhunuar, si paraqitet gjendja e saj

Gjendja emocionale e 11-vjeçares, e cila dyshohet se u dhunua nga pesë persona të shtunën në Prishtinë, nuk është dhe aq e keqe.

Kështu tha Demë Hasanaj, drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Shtetit.

Hasanaj tha në Klan Kosova se kanë kontaktuar me Qendrën për Punë Sociale për të marrë informacione lidhur me viktimën.

“Jemi informuar për gjendjen emocionale dhe psikike të viktimës nga ana e organit të kujdestarisë, përkatësisht nga Qendra për Punë Sociale. Për momentin, rasti është duke u hetuar dhe ne nuk mund të japim më shumë informacione, por gjendja emocionale e viktimës nuk është dhe aq e keqe” tha Hasanaj.

Rasti ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik.

Sot në Prishtinë u protestua në kundërshtim të abuzimit të fëmijëve dhe grave.

Të pesë të dyshuarit janë arrestuar nga ana e policisë.

Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji./express


Shtuar 31.08.2022 19:59