“Korrupsion në futboll”, SPAK: Dënim me burg për gjyqtarin dhe 2 ish-futbollistët shqiptarë

Ditën e sotme SPAK ka lëshuar kërkesë për 2 vite e gjashtë muaj burg, për gjyqtarin e futbollit Qerim Ruçi.

Ai akuzohet për trukim (shitje ndeshjesh) dhe ndikim në rezultat, për sfidën e Kategorisë së Dytë mes Selenicës dhe Përmetit, në marsin e 2020, fituar nga miqtë me penallti 0-1.

SPAK nuk mbetet me kaq por kërkon dënim edhe për zyrtarin e Përmetit, Bledar Hajredini dhe ish-futbollistin Markelian Alinani. Tre personat u përgjuan së bashku me një tjetër grup që hetohej për korrupsion dhe trafik, duke dalë në konkluzionin se ndeshja e futbollit ishte e paracaktuar.

Të gjithë të pandehurit kanë pranuar gjykim të shkurtuar, duke iu ulur dënimi me 1/3. Kërkesa e SPAK ishte:

Markelian Alinani: 3 vite e 6 muaj burg

Qerim Ruçi: 2 vite e 6 muaj burg

Bledar Hajredini: 2 vite burg

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.102/4 të vitit 2021. Në përfundim të hetimeve paraprake, janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim të pandehurit:

Markelian Alinani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Paracaktim i rezultateve sportive”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i parë dhe 25, 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Qerim Ruçi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikur nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal.

Bledar Hajredini, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikur nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal,”- ishte akuza e SPAK për njerëzit e futbollit të implikuar në këtë akt kriminal korruptiv./albeu.com