Jack Teixeira, spiuni që tronditi SHBA-në mund të imponojë ndryshime të mëdha në komunitetin e shërbimeve sekrete

Nga James Politi & Mehul Srivastava “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Të enjten e javës së kaluar, Jack Teixeira ishte duke lexuar një libër në shtëpinë e tij në një zonë të pyllëzuar të North Dighton, Massachusetts, kur agjentët federalë mësynë dhe realizuan atë që rezultoi të ishte një arrestim i lehtë. Piloti 21-vjeçar, që në ato momente mbante veshur pantallona të shkurtra të kuqe dhe një bluzë ngjyrë ulliri, u shfaq pas një hetimi të shpejtë si spiuni i fundit brenda aparatit të sigurisë kombëtare të Amerikës.

Autoritetet amerikane besojnë se Teixeira është përgjegjës për postimin e një numri e madh dokumentesh ushtarake shumë të ndjeshme, që lidhen kryesisht me luftën në Ukrainë, në një seri postimesh në internet, të cilat kanë tronditur institucionet e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes amerikane dhe rrezikojnë të prishin seriozisht lidhjet me aleatët kryesorë.

Ai u akuzua zyrtarisht të premten nga një gjykatë federale dhe po mbahet në paraburgim deri në një seancë të re që do të zhvillohet në mesin e kësaj jave. Fakti që një pjesëtar i ri i ushtrisë amerikane mund të kishte në zotërim materiale shumë të klasifikuara – dhe ishte në gjendje t’i publikonte ato – ka nxitur një debat dhe reflektim shumë të thellë.

“Është jonormale që ai ka qenë në gjendje të kishte qasje tek gjithë ato lloj dokumentesh.

Dhe ky skandal tregon sesa e lehtë është të gjesh të çara të mëdha në komunitetin e inteligjencës”- thotë Leslie Vinjamuri, drejtore e programit të SHBA dhe Amerikës në think-tankun britanik Chatham House.

Pikëpamjet personale të vetë Teixeiras, të cilat qëndrojnë midis politikës libertariane, mbështetjes së mbajtjes së armëve, videolojërave dhe fesë, vetëm sa i shtohen këtyre shqetësimeve. Ato vënë në dukej vështirësinë që ushtria amerikane ka në zbulimin e ekstremistëve në mesin e saj, të cilat janë të gatshëm për të dekonspiruar sekretet e

Amerikës.

Teixeira u rekrutua në ushtri në shtatorin e vitit 2019, dhe u caktua në sektorin e inteligjencës

në bazën e Gardës Kombëtare Ajrore në Cape Cod. Zyrtarisht ai po punonte në “sistemet e transportit kibernetik”. Pra ishte përgjegjës për funksionimin e sistemit të komunikimit të Forcave Ajrore të SHBA. Madje për këtë fitoi një medalje nderi në shtator 2022.

Por një anë më e errët e kësaj historie të zakonshme amerikane, nisi të shfaqej në internet muajt e fundit, pasi Teixeira postoi në kanalin “Thug Shaker Central” në një platformë të quajtur Discord. Atje ai filloi të shpërndajë materiale të ndjeshme, tek të cilat kishte qasje në punën e tij, tek një grup i vogël të pasionuarish pas armëve dhe adhurues të videolojërave, që ndanin të njëjtat ide dhe bindje.

Sipas gazetës amerikane “The Washington Post”, Teixeira përdorte nofka të tillë si “jackthedripper” dhe “excalibureffect”. Por njihej dhe si “OG”. Disa anëtarë të grupit në fjalë treguan për “Washington Post” një video të tij duke bërtitur sharje raciste dhe anti-semitike, ndërsa qëllonte me armë.

“Ai e donte Amerikën, por thjesht nuk ndihej i sigurt për të ardhmen e saj”- i shpreh një mik për gazetën. Teixeira, nëna e së cilit zotëron një dyqan lulesh, u arrestua jo shumë larg shtëpisë së tij. Ai kishte mbaruar shkollën e mesme Rajonale Dighton-Rehoboth në vitin 2020, por nuk u dallua për ndonjë arritje, thanë dy njerëz që e njihnin në atë kohë.

Shkolla, me rreth 1.000 nxënës, dërgon “shumë të rinj në ushtri, sepse ne jemi rritur duke gjuajtur më armë dhe Garda Kombëtare na ndihmon për të paguar shpenzimet e universitetit”, tha një nxënës, i cili ka qenë shok klase me Teixeira-n.

“Ai nuk ishte pjesëtar në asnjë nga klubet e shkollës. Por ai nuk ishte tip i vetmuar. Edhe nëse do të më thoshit se luante videolojëra gjithë ditën do të habitesha, pasi ai nuk ishte nga ata lloj të rinjsh”- vijon më tej dëshminë shoku i tij i klasës.

Një student tjetër, i cili kërkoi të identifikohej vetëm me nofkën e tij në grup, Valkeery, tha

se ishte njohur me Teixeira-ns në një poligon qitjeje, dhe më pas ranë dakord të shkëmbenin këshilla mbi teknikat mbi një videolojë me qitje. “Ai kishte shumë njohuri mbi armët, dhe më mësoi shumë gjëra. Ishte pandemia e Covid, dhe të gjithë të rinjtë po luanin videolojëra gjatë gjithë natës në dhomat e tyre”- thekson ai.

Për momentin, nuk ka asnjë shenjë se Teixeira e konsideronte veten si një demaskues si Chelsea Manning ose Edward Snowden, dy autorët e tjerë të rrjedhjeve të mëdha të të dhënave sekrete që cënonin sigurisë kombëtare të SHBA-së në këtë shekull.

Gjatë vizitës së tij në Irlandë, presidenti amerikan Joe Biden, u përpoq ta minimizonte rëndësinë e kësaj ngjarje. Por në periferinë e spektrit politik në SHBA-së, Teixeira po shndërrohet në një lloj heroi. “Teixeira është i bardhë, mashkull, i krishterë dhe kundër luftës. Kjo e bën atë një armik të regjimit Biden. Dhe ai tha të vërtetën për trupat që janë në terren në Ukrainë dhe shumë më tepër se kaq”- shkroi në Twitter Marjorie Taylor Greene, kongresmenia republikane nga Xhorxhia dhe një aleate e ngushtë e ish-presidentit Donald Trump.

“Pyesni veten se kush është armiku i vërtetë? Një i ri i Gardës Kombëtare i niveleve të ulëta? Apo administrata aktuale që po zhvillon luftë në Ukrainë, një vend jo anëtar i NATO-s dhe kundër Rusisë bërthamore?”- shtoi ajo. Megjithatë, shumica e politikanëve amerikanë janë në favor të një ndëshkimi të ashpër ndaj aktit të Teixeira-s.

“Vjedhja dhe zbulimi i informacioneve të ndjeshme dhe të klasifikuara, rrezikon personelin amerikan jashtë shtetit. Duhet të merren masa ekstreme. Unë mendoj se ai duhet të ndiqet penalisht pa asnjë tolerim”- deklaroi për Fox News Mike Pence, zv/president në administratën Trump.

Duket se ditët e fundit, i riu  kishte parandjerë se ishte zbuluar dhe se do të kapej. “Djema, ishte bukur për aq sa zgjati. Ju dua të gjithëve. Nuk kam dashur asnjëherë që të ndodhë kështu. Iu luta Zotit që kjo të mos ndodhte kurrë. Vetëm Zoti mund të vendosë se çfarë do të ndodhë tani e tutje”- u shkroi Teixeira miqve të tij në internet, sipas një dëshmie të siguruar nga “The New York Times”.


Shtuar 17.04.2023 15:43

Tags: