Qytetari pranon se votoi dy herë por të habit me arsyen
Kur kanë kaluar katër vjet nga koha kur akuzohet se votoi dy herë brenda së njëjtës ditë, Eshref Krasniqi pranoi fajësinë në akuzën që e ngarkon për keqpërdorim të së drejtës së votimit në zgjedhjet e vitit 2014">2014 për Kuvendin e Kosovës.

Pasi dëgjoi leximin e aktakuzës nga prokurorja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Besa Limani, e cila e ngarkon se më 8 qershor të vitit 2014">2014 ka keqpërdorur të drejtën e tij të votimit, Krasniqi tha se nuk varej prej atyre votave.

“Kur kam votuar në Obiliq më kanë thanë që vota nuk vlen dhe kam shkuar te familja dhe kam votuar në Prizren. Unë për herë të parë kam votu, s’jam marrë me atë punë dhe nuk e kam ditë se është gabim. Unë jam bukëpjekës dhe s’jam i varur prej atyre votave dhe nuk prej askujt me ma ndërru vendin e punës”, tha i akuzuari.

Ky deklarim i të akuzuarit pas fjalëve se po bëhet lirshëm dhe duke e kuptuar situatën, u konsiderua si pranim i fajësisë nga gjyqtari Hamdi Ibrahimi, ndërsa me pranimin e fajësisë u pajtua edhe prokurorja Limani.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast do të bëhet më 26 janar.

Krasniqi akuzohej nga prokuroria se më 8 qershor 2014">2014 në kundërshtim me Ligjin e Zgjedhjeve të Përgjithshme ka votuar duke e shfrytëzuar të drejtën për të votuar si votues i rregullt në Shkollën Fillore “ Luigj Gurakuqi” në fshatin Nashec të Prizrenit, ndërsa në të njëjtën ditë në Shkollën Fillore “Ibrahim Rugova” në Obiliq ka votuar me kusht.
Shtuar më 23/01/2018, ora 16:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori