Qytetarët e Preshevës trajtohen si të huaj
Heqja e taksës për qytetarët e Preshevës nga Kryeministri Hashim Thaçi, që është miratuar të premten, ka nxitur edhe reagimin e deputetit dhe kandidatit të LDK-së për Gjilanin Lutfi Haziri, që siç shkruan Express, ka thënë se gjithcka ka nisur me një rezolutë të nisur nga ai.

"Më në fund filloi zbatimi i Rezolutës së Kuvendit për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës Lindore, e njohur si Rezoluta e Lutfi Hazirit, e miratuar në Kuvendin e Kosovës më 6 qershor 2013. Kjo Rezolutë ka vlerë historike, meqë për herë të parë u caktuan obligimet e Kosovës ndaj vëllezërve tanë në Kosovën Lindore, si heqja e pagesës së taksës kufitare, hapja e zyrave në Prishtinë dhe Gjilan për shqiptarët e Luginës, obligimin e përkujdesjes së përhershme të Kosovës për arsimin, kulturën, liritë dhe të drejtat njerëzore e kombëtare, si dhe vendosjen e parimit të reciprocitetit me serbët e Kosovës etj",-ka thënë Haziri.

Ai është shprehur se deri më tani shqiptarët e Luginës së Preshevës janë trajtuar si aziatikë, të huaj.

"Është i dhimbshëm fakti që deri më sot vëllezërit tanë të Kosovës Lindore janë barazuar me kinezët, duke ua kushtëzuar aplikimin për letërnjoftim 5 vjet radhazi. Kjo është e papranueshme dhe si e tillë ofenduese për vëllezërit tanë. Atyre do të duhej t'u mundësohej marrja e letërnjoftimeve tona pa kushte",-ka shtuar ai. /albeu.com/
Shtuar më 11/10/2013, ora 13:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori