Qytetarët e Kosovës presin që shëndetësia dhe arsimi të jenë prioritet i qeverisë së ardhshme
Sektori i Shëndetësisë dhe i arsimit duhet të jenë dy prioritet kryesore të qeverisë së ardhshme të Kosovës, thonë disa qytetarë të Prishtinës.

Tutje, qytetarët presin ndryshime pozitive nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Qytetari nga Prishtina, Armendi tha për Ekonomia Online se hapja e vendeve të punës për të rinjtë është e rëndësishme për përmirësimin e situatës në Kosovë.

"Partia që unë mendoj se do të fitojë është VV-ja, vërtetë mendoj se ka me pasë shume probleme, fillimisht m’i riparu që është e pamundur për një interval të shkurtë gjitha këto që gjerë më tani ka ndodhë tek ne, por unë si prioritet e shoh, luftimit të pandemisë, zhvillimit ekonomik, arsimit, i cili vërtetë është katandisë me të vërtetë. Po ashtu edhe hapja e vendeve të punës. Rinia jonë është duke na ikur. Por fillimisht duhet me luftu korrupsionin dhe nepotizmin", tha.

Tutje, ai tha se pret ndryshime nga gjenerata e re e spektrit politik.

Për Sofije Ramën, prioritet është shëndetësia dhe pastaj arsimi. Mes tjerash ajo thotë se pret ndryshime pozitive nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

"Së pari është shëndetësia, së dyti arsimit dhe të tjerat me rend, të gjitha", tha ajo.

"Pres shumë ndryshime veç për te mira", shtoi ajo.

Gjithashtu edhe për qytetarin tjetër nga Prishtina, prioritet për Qeverinë e pas 14 shkurtit duhet të jetë sektori i shëndetësisë dhe arsimi.
Shtuar më 17/01/2021, ora 16:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori