Qytetarët e Kosovës i vendosin vizë komisionerit Hahn
Një grup i organizuar qytetarësh janë mbledhur para Qeverisë së Kosovës dhe kanë vendosur një mesazh për komisionerin e BE-së, Johannes Hahn, i cili do të vijë sot gjatë ditës në Kosovë.
Grupi i udhëhequr nga ish-asamblisti i Komunës së Drenasit, Xhavit Drenori, i kanë vendosur "vizë" komisionerit Hahn, duke dashur t’i japin mesazhin se Kosova mund të bëjë reciprocitet edhe në këtë çështje.

“Kemi ardhur sot për të shprehur indinjatën dhe kënaqësinë e thellë për qasjen e BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës. Kjo qasja është e papranueshme, pasi ne nuk e pranojmë që vetëm ne të jemi të izoluar. Deshëm t’ia bëjmë me dije komisionerit Hahn se ne mund t’iu bëjmë reciprocitet edhe për viza, jo vetëm për taksë për produktet”, ka thënë Drenori.

Ndërkaq, ai i ka hedhur një pjesë të fajit edhe BE-së rreth dështimit të Kosovës për të krijuar një vend stabil. Sipas tij, institucionet e BE-së kanë qenë të përfshira direkt në shtetndërtimin e Kosovës.

“Nëse Kosova ka dështuar si shtet, atëherë një pjesë të fajit e kanë edhe BE-ja pasi ishin të përfshirë në të gjitha proceset”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, në mesazhin e vendosur në hyrje të institucioneve ku Hahn do të zhvillojë takime me krerët e shtetit, i tregohen edhe harxhimet për ‘vizë kosovare’. 75 euro do t’i kushtonte Hahn-it viza e Kosovës, të cilën shumë e paguajnë kosovarët për çdo vizë.


Shtuar më 03/12/2018, ora 10:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori