Rrëzimi i avionit mori 97 jetë, zbulohet sekreti që kishte piloti (VIDEO)

Një aeroplan i Pakistan International Airlines u përplas në një zonë të banuar më 22 maj të këtij viti duke u marrë jetën 97 personave. Ministria e Aviacionit në Pakistan njoftoi së fundmi se rasti në fjalë ishte një gabim njerëzor dhe se mjeti fluturues nuk kishte pasur asnjë defekt teknik.

Por, tashmë është zbuluar po ashtu se një nga tre pilotët në bord ishte duke fluturuar me licencë false. Ghulam Sargar Khan ministri i Aviacionit në vend njoftoi se piloti në fjalë kishte paguar persona të tjerë që t’i plotësonin testet.

Nga 860 pilotët e licencuar aktualisht në Pakistan, hetuesit identifikuan 262 të cilët ‘nuk e kishin marrë provimin vetë” dhe “nuk kanë përvojë fluturimi”, tha ai.

Pakistan International Airlines, linja ajrore e cila drejtonte aeroplanin që u rrëzua, u ka ndaluar fluturimin ditën e sotme 150 prej pilotëve të saj, të cilët dyshohet se kanë mashtruar gjatë provimeve.

Fluturimi 8303 i Pakistan Airlines nga Lahore u përplas ndërsa përpiqej që të ulej në Karachi më 22 maj. Më tej u zbulua se bëhej fjalë për gabim të pilotëve, që ishin shpërqendruar nga një bisedë për koronavirusin, dhe kullës së kontrollit të trafikut ajror.


Shtuar 25.06.2020 13:50